Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Strasburg se projekti i zhvillimit në Zvërnec do të ecë përpara vetëm nëse respektohen plotësisht standardet ligjore dhe mjedisore.

Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se zona ka një rëndësi të veçantë ekologjike dhe se projekti ndodhet ende në fazën e zhvillimit, pa një miratim përfundimtar. Sipas tij, çdo hap do të kushtëzohet nga vlerësimi i plotë i ndikimit në mjedis, konsultimet publike dhe miratimet e autoriteteve përgjegjëse.

“22.1% e territorit të Shqipërisë është zonë e mbrojtur. Projekti është në fazën e zhvillimit, nuk është miratuar projekti përfundimtar dhe nuk mund të vazhdojë pa vlerësimin e plotë të ndikimit në mjedis dhe pa miratimet përkatëse. Çdo zhvillim do të jetë i nënshtruar kërkesave të ligjit”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit nuk janë procese që përjashtojnë njëri-tjetrin, por pjesë e të njëjtit vizion për një zhvillim të qëndrueshëm.

“Objektivi është të ofrojmë një model turizmi që krijon vende pune, tërheq ekonomi dhe investime, ndërsa mbron njëkohësisht vlerat ekologjike të zonës. Ruajtja e natyrës dhe zhvillimi nuk janë objektiva që bien ndesh, por shtylla plotësuese të të njëjtit vizion për një Shqipëri më të begatë dhe më të gjelbër”, deklaroi ai.

Në fjalën e tij, Balla u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke theksuar rëndësinë e rolit të Kuvendit dhe të konsensusit politik në këtë rrugëtim.

“Asnjë proces nuk mund të arrihet pa pronësinë demokratike. Parlamenti shqiptar është një nga shtyllat kryesore që i jep legjitimitet, mbikëqyrje dhe transparencë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Balla.