Policia e Tiranës ka intensifikuar kërkimet për kapjen e Sadik Llanit, të dyshuarit kryesor për vrasjen e 27-vjeçarit Arbian Baloshi në Kamëz, ndërsa u ka bërë apel qytetarëve të bashkëpunojnë me autoritetet.
Sipas Policisë së Shtetit, Llani konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë dhe dyshohet se lëviz i armatosur. Për këtë arsye, banorëve të zonës së Kamzës dhe zonave përreth u kërkohet të shmangin çdo përballje apo ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet nëse kanë informacion për vendndodhjen e tij.
Në operacionin për kapjen e të dyshuarit janë përfshirë Forcat Speciale “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilët po zhvillojnë kontrolle të vazhdueshme në terren.
Për të nxitur denoncimet, Policia ka vendosur një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo informacion të vlefshëm që çon në lokalizimin dhe arrestimin e Sadik Llanit. Autoritetet garantojnë anonimatin dhe konfidencialitetin e plotë për çdo qytetar që kontribuon me informacion.
Çdo e dhënë mund të raportohet në numrin 069 41 05 735 ose në numrin e emergjencës 112.
Policia e Tiranës:
Apel për kujdes dhe bashkëpunim për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 27-vjeçarit në Kamëz.
Nisur nga rrezikshmëria e lartë e autorit të dyshuar për vrasjen e shtetasit A. B., 27 vjeç, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon ndaj qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi autori i dyshuar, shtetasi Sadik Llani, dyshohet se është i armatosur dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Për lokalizimin dhe kapjen e tij janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilat po vijojnë kontrollet intensive në terren.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që, nëse konstatojnë këtë shtetas ose disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tij, të mos ndërhyjnë në asnjë mënyrë, por të njoftojnë menjëherë Policinë në numrin 069 41 05 735 ose në numrin pa pagesë 112.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vë në dispozicion një shpërblim prej 10 000 eurosh për informacionin e saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Policia e Tiranës garanton ruajtjen e plotë të konfidencialitetit për çdo informacion të dhënë nga qytetarët.
