Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, gjatë Konferencës së Ambasadorëve, u shpreh se rritja e numrit të vizitorëve të huaj po e zgjeron tregun turistik shqiptar dhe se secili prej tyre është një “ambasador bio” që promovon vendin.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në muajin gusht u regjistrua një rritje prej 10% të vizitorëve të huaj krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “E rëndësishme nuk është vetëm të sjellim turistë, por edhe t’i mbajmë ata, sepse secili kthehet në një promotor natyral të Shqipërisë,” tha ministrja.
Duke sjellë shembullin e Gjirokastrës, Kumbaro theksoi se bizneset po përshtaten me kërkesat e reja të tregut, madje shumë sipërmarrës vendas po mësojnë spanjisht, për t’u përgjigjur më mirë fluksit të turistëve nga Amerika Latine dhe Spanja, që sipas saj janë të shtuar ndjeshëm falë “efektit të ambasadorëve bio”.
“Në Gjirokastër për shembull… mos qeshni! Bizneset private po interesohen të mësojnë spanjisht sepse shikojnë një rritje të kësaj lloj klientele sepse është rezultat i ambasadorëve bio,” u shpreh ajo.