Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin që prej mbrëmjes së djeshme, kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në disa qytete dhe kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve, duke nxitur situata të rrezikshme dhe të paparashikuara.

Durrësi, qyteti më i prekur, ka pësuar dëme të mëdha. Në disa zona, niveli i ujit ka arritur deri në 50 cm. Spitalla, Nishtulla dhe ish-Kënetë (Durrësi i Ri) janë zonat më problematike, ku rrugët janë pothuajse të pakalueshme dhe shumë lagje janë të braktisura. Mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave të Durrësit për shkak të situatës së krijuar nga reshjet dhe bllokimi i rrugëve. Zyrat e Arsimit kanë njoftuar prindërit dhe mësuesit të shmangin lëvizjet deri në qetësimin e situatës.

Për shkak të përmbytjeve, 8 familje janë evakuuar, përfshirë 3 familje nga Shijaku, të cilat janë sistemuar në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme, ku deri tani janë strehuar 3 familje. Situata në autostradën Durrës-Tiranë ka krijuar vështirësi, me disa automjete që janë fikur për shkak të ujit të lartë në disa segmente të rëndësishme rrugore.

Tirana po përballet me të njëjtin problem, ku reshjet e dendura kanë shkaktuar bllokime të trafikut dhe mbushje të rrugëve me ujë. Qarku Lezhë është gjithashtu i goditur, ku reshjet e shiut kanë arritur deri në 96 mm gjatë 24 orëve të fundit, duke shkaktuar rritje të niveleve të lumenjve Drin dhe Mat, si dhe përmbytje të tokave dhe oborreve.

Kukës, vërshimi i ujërave ka shkaktuar përmbytje të disa segmenteve rrugore dhe probleme me disa akse nacionale, përfshirë rrugët Kukës-Shishtavec, Kukës-Bushtricë, dhe Kukës-Qafë Mali. Dëmtime të pjesshme të rrugëve janë raportuar edhe në akset Kukës-Krumë-Kam-Tropojë, Tropojë-Qafë Morinë dhe Bajram Curri-Valbonë. Rruga Tropojë-Fierzë-Qafë Mali është gjithashtu prekur nga pranisë së ujit. Për më tepër, shumë rrugë rurale në Qarkun e Kukësit janë dëmtuar për shkak të daljes së përrenjve nga shtrati, duke izoluar disa zona përkohësisht.

Fieri është përfshirë gjithashtu nga reshje intensive shi dhe stuhi ere që kanë filluar gjatë paradites së sotme, megjithatë deri tani nuk janë raportuar përmbytje apo dëme të tjera.

Për shkak të rritjes së prurjeve në lumin Drin, hidrocentralet HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës kanë nisur shkarkimet e kontrolluara, duke lëshuar një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit të energjisë. Procesi po monitorohet dhe menaxhohet nga specialistët e hidrocentraleve për të parandaluar përmbytje të mëtejshme.

Situata mbetet e tensionuar dhe autoritetet po punojnë intensivisht për të menaxhuar pasojat e reshjeve dhe për të siguruar ndihmën për ata që janë prekur nga përmbytjet.