Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kanë dhënë përditësimin e tyr të fundit në lidhje me situatën në vend. Ajo thotë se situata ka filluar të përmirësohet në shumicën e qarqeve të vendit. Strukturat e OSHEE, ujësjellës-kanalizime dhe Forcat e Armatosura kanë vijuar punën në terren, në mënyrë që të rregullojnë pasojat që ka lënë situata e vështirë atmosferike.

Në qarkun e Lezhës po punohet me 12 mjete vetëshkarkuese dhe 2 ekskavatorë në argjinaturën e Lagunës së Vainit. Në Durrës po vijon pastrimi i kanaleve të kullimit. Situata më e rënduar është në Fier, ku lumi Seman është brenda argjinaturave, por ka dalë nga shtrati. Kjo ka sjellë përmbytje në tokat bujqësore në fshatrat Imësht, Seman dhe Suk.

SITUATA SIPAS QARQEVE

QARKU LEZHË

Po punohet me 12 mjete vetëshkarkuese dhe 2 ekskavatorë në argjinaturën e Lagunës së Vainit. Përmbytjet në këtë zonë janë të kufizuara vetëm në toka bujqësore. Në Kurbin vijon puna për riparimin e rrugës Skuraj–Gallatë–Vinjollë dhe mbushja e shpatullave të urave. Në Mirditë po punohet në aksin Rrëshen–Bukmirë me mjete të rënda. Në njësitë Fan dhe Selitë vijon rehabilitimi i rrugëve rurale. Lumi Drin me tendencë rënie, Lumi Mat, pa probleme. Ndërsa furnizimi me ujë është normal.

QARKU DURRËS

Për shkak edhe të reshjeve me intensitet të ulët lumenjtë Erzen, Ishëm dhe Zezë nuk kanë shënuar rritje niveli. Pastrimi i kanaleve të kullimit në Durrës vijon me mjete të bashkisë dhe Drejtorisë së Ujitjes. Ndërsa kanë përfunduar punimet për forcimin e argjinaturës së lumit Droje në fshatin Dukagjin. Vijojnë ndërhyrjet për pastrimin e kanaleve dhe rrugëve në Borizanë dhe Cudhi. Fatmirësisht ka një tendencë uljeje të nivelit të ujit në tokat bujqësore.

QARKU FIER

Niveli i lumit Lumi Seman është brenda argjinaturave, por ka dalë nga shtrati, gjë që ka sjellë përmbytjë në tokat bujqësore në fshatrat Imësht, Seman dhe Suk. Referuar të dhënave të marra mbi prurjet e lumit Vjosa në urën e Memaliaj si dhe nivelit aktual në urën e Mifolit, në bashkëpunim edhe me strukturat e bashkisë Fier janë marrë masat për njoftimin e njësive administrative që shtrihen përgjatë rrjedhës së lumit Vjosa. Akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht. Po monitorohet situate në argjinaturën e Mbrostarit.

QARKU VLORË

Edhe në Vlorë situate paraqitet më e stabilizuar. Në koordinim me prefekturat fqinje po mbahet në monitorim niveli i ujit në lumin Vjosa. Në mbështetje janë 67 efektivë të FA, 17 mjete, 5 varka dhe 2 pompa thithëse. Në Selenicë po punohet për zhbllokimin e segmentit Selenicë–Rromës. Sarandë: situata e stabilizuar, të gjitha rrugët të kalueshme përveç urës së fermerëve Metoq. Në Finiq gjithashtu po punohet për kalueshmërinë në rrugën Vrion–Aliko. Hidrovorët e Vlorës po punojnë me kapacitet të plotë.

QARKU DIBËR

Ekipet e emergjencave në terren po punojnë prej orësh punën për riparimin e dëmve të shkaktuara në infrastrukturë, si pasojë e reshjeve të një dite më parë. Në Bulqizë po punohet për zhbllokuar rrugën për në qytetin e Ri.Në Dibër punohet në Luzni, Zall Dardhë e Muhur për hapjen e shtratit të përrenjve. Në Mat gjithashtu ekipet po punojnë për pastrimin e rrugëve pranë spitalit, në akset Vig-Macukull, Derjan, Prell, Mesuç–Laç, Vinjoll, Gjalish, Karicë, Batërr, Selicë, Stojan etj. FA dhe strukturat vendore po punojnë intensivisht në Rukaj për hapjen e dy përrenjve me rrezik për banesat. Furnizimi me energji dhe ujë është normal dhe rrugët kombëtare të kalueshme.

QARKU SHKODËR

Me vëmendje maksimale po punohet në Fushë-Arrëz, në Qafë Mali, ku ka patur dëmtime të segmenteve rurale për shkak të rrëshqitjeve dhe gurëve. Ndërhyrje ka në Malësi të Madhe, për shkak të rritjes së prurjeve të përroit të Thatë.

QARKU BERAT

Niveli i lumit Osum, në Berat ka rënë nga 4 m në 3.65 m, por ka prani uji ende në tokat e Veterrikut dhe Moravës.
Në Poliçan ujërat janë tërhequr. Në Dimal, lumi Osum ka përfshirë 13 ha toka bujqësore në Arrës dhe Çiflik. Ndërkohë vijon monitorimi I situatës së strukturave vendore.

QARKU KORÇË

Situata në përmirësim. Në Maliq niveli i Devollit dhe Dunavecit është në rënie; ujërat në tokat bujqësore janë të kufizuara.
Përmirësim të situatës ka edhe në Pustec, Pogradec dhe Kolonjë.

QARKU GJIROKASTËR

Niveli i Vjosës në Memaliaj është nën pikën kritike. Në tendëncë rënie është edhe në Përmet. Akset kombëtare janë të gjithë të qarkullueshme. Fiormat kontraktore po punojnë në aksin Kolonjë–Golem, aksin Suhë–Poliçan dhe në disa rrugë rurale në Tepelenë.

QARKU ELBASAN

Në Librazhd, për shkak të nivelit të ujit në Urën e Murrashit, do të bëhet evakuimi I një familjeje.

QARKU TIRANË

Në Rrogozhinë niveli i lumit ka rënë dhe situate është drejt stabilizimit.

QARKU KUKËS

Akset, ku ka patur rënie gurësh dhe inerte tashmë janë pastruar dhe janë të kalueshëm. Ekipet e OShEE në të gjithë vendin po punojnë pa ndërprerje për të rikthyer furnizimin me energji në disa zona të thella. Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, së bashku me strukturat në varësi mbetet në monitorim të pandërprerë të situatës dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me strukturat vendore, ekipet e emergjencës dhe institucionet përgjegjëse për ndërhyrje të menjëhershme në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike.