Ministria e Shëndetësisë thotë se ka marrë masat e nevojshme për ofrimin e kujdesit shëndetësor të pandërprerë dhe të sigurt për qytetarët gjatë këtyre ditëve me mot të keq.

Përmes një njoftimi, ministria deklaroi se po monitoron situatën në terren.

Njoftimi i ministrisë

Mbi gatishmërinë e strukturave të shëndetësisë dhe situatën në terren për shkak të kushteve të motit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se, në bashkëpunim me Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën në terren dhe funksionimin e strukturave shëndetësore në të gjithë vendin, për shkak të kushteve të motit.

Nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë me 36 NJVKSH-të dhe 4 Drejtoritë Rajonale, po sigurohet raportim i detajuar dhe i përditësuar mbi gjendjen e qendrave shëndetësore, pikave ambulatore dhe strukturave spitalore.

Ndërkohë, janë marrë masat e nevojshme për ofrimin e kujdesit shëndetësor të pandërprerë dhe të sigurt për qytetarët gjatë këtyre ditëve me mot të keq.

  • Monitorim i pandërprerë 24/7 i situatës në terren
  • Verifikim i infrastrukturës, pajisjeve dhe rezervave bazë medikamentoze të emergjencës
  • Sigurim i aksesueshmërisë së transportit të urgjencës dhe koordinim me autoritetet vendore dhe emergjencat civile
  • Caktim i personave përgjegjës për monitorimin e situatës në çdo institucion shëndetësor

Masat në nivel spitalor

  • Aktivizim i plotë i shërbimit të urgjencës me gatishmëri 24/7
  • Forcim i koordinimit operacional me OSHKSH-në, pushtetin vendor dhe strukturat e emergjencave
  • Monitorim i situatës çdo 3 orë dhe kontroll i vazhdueshëm i infrastrukturës
  • Verifikim i rezervave kritike: medikamente, materiale mjekësore, ujë të pijshëm, karburant për gjeneratorë dhe pajisje emergjente.