Autoriteti Rrugor Shqiptar ka reaguar lidhur me situatën në vend pas reshjeve të shiut, dëborës dhe temperaturave të ulëta gjatë natës. Me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, ARRSH njofton se reshjet e dëborës kanë pushuar, ndërsa aktualisht vendi është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar, të shoqëruara me rritje të temperaturave.

Sipas ARRSH, Grupet e punës me mjetet borëpastruese kanë qenë në terren gjatë gjithë natës, duke punuar për pastrimin e rrugëve nga gurët dhe inertet, si dhe për shpërndarjen e kripës në akset ku ka pasur rrezik për ngrica. Gjithashtu ARRSH bën me dije se qarkullimi i mjeteve vijon normalisht në të gjitha akset rrugore të vendit.

Njoftimi i ARRSH:

Gjatë natës reshjet e dëborës kanë pushuar. Vendi është përfshirë nga reshjet e shiut me intensitet të ulët deri në mesatar. Temperaturat kanë pësuar rritje. Grupet e punës me mjetet borëpastruese kanë qenë në terren përgjatë gjithë natës, për pastrimin e rrugëve nga rënia e gurëve apo inerteve dhe për shpërndarjen e kripës për të shmangur ngricat në akset rrugore ku ka pasur nevojë. Qarkullimi vijon normalisht në të gjitha akset. Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore.