Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile thotë se situata meteorologjike në vend paraqitet kryesisht e qetë, me reshje me intensitet të ulët deri mesatare dhe pa probleme serioze në nivel kombëtar.

Në qarkun e Shkodrës, reshjet intensive që ranë gjatë pasdites dhe mbrëmjes dëmtuan segmentin rrugor Breg Lumi–Theth, ku 9 persona dhe 5 mjete mbetën të bllokuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave bashkiake, Policisë së Shtetit dhe efektivëve të FA, personat u evakuuan me sukses. Rruga mbetet e bllokuar dhe po pastrohet nga inertet, me mbështetjen e 10 efektivëve të FA.

Në bashkinë Fushë Arrëz janë raportuar ndërprerje të energjisë për shkak të erës së fortë. Në qarkun e Lezhës, në aksin Lezhë–Shëngjin është rrëzuar një pemë, e cila ka dëmtuar linjat elektrike dhe ndërprerë energjinë. Në rrugën Lezhë–Balldren ka prezencë inertesh dhe forcat operacionale po punojnë për pastrimin e saj.

Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika nga moti. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 24 orët e ardhshme priten reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të intensifikohen në formë shtrëngatash. Nga pasditja deri në orët e para të mëngjesit, reshje të shumta priten edhe në Lezhë, Durrës dhe Tiranë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Parashikohet mjegull dhe shikueshmëri e reduktuar në zona luginore.