Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë rajonin e Kukësit gjatë natës së kaluar kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të qytetit.

Banorët janë zgjuar mëngjesin e sotëm nën zhurmën e gjeneratorëve, të cilët po përdoren nga bizneset e vogla për të siguruar furnizimin me energji elektrike.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se moti i keq ka shkaktuar gjithashtu rënie gurësh dhe dherash në disa segmente rrugore rurale.

Bashkia e Kukësit ka ndërhyrë me mjetet e saj për pastrimin dhe rregullimin e pjesëve të dëmtuara, duke synuar rikthimin e qarkullimit normal në këto zona.

Ndërkohë, reshjet e fundit kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e rezervave hidrike në Liqenin e Kukësit. Prej dy javësh, niveli i ujit në basenin e liqenit është në rritje të vazhdueshme, çka ka sjellë edhe shtim të prurjeve në hidrocentralin e Fierzës, duke përmirësuar prodhimin e energjisë elektrike.

Institucionet përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës meteorologjike dhe të infrastrukturës rrugore, ndërsa u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes në lëvizje, sidomos në zonat malore ku pritet që reshjet të vijojnë edhe në orët në vijim.