Pas një periudhe të gjatë me temperatura të larta dhe mot të qëndrueshëm, qyteti i Vlorës dhe disa zona rurale të qarkut janë përfshirë nga reshje shiu të shoqëruara me erë të fortë.
Situata më e rënduar është regjistruar në zonën e Lumit të Vlorës, veçanërisht në fshatin Vranisht, ku kushtet atmosferike janë përkeqësuar duke marrë formën e një stuhie të fuqishme.
Era e fortë ka shkaktuar dëme në sektorin e pemtarisë, ndërsa raportohet për dëmtime edhe në tenda dhe në çatitë e disa ambienteve të bizneseve lokale, përfshirë restorante.
Autoritetet lokale po monitorojnë situatën, ndërsa pritet një vlerësim i plotë i dëmeve të shkaktuara nga moti i keq.
