Një aksident fatal është regjistruar pasditen e sotme në aksin rrugor dytësor Berat–Roshnik, në fshatin Duhanas, Berat.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 18:30 shtetasi S. R., 40 vjeç, banues në këtë fshat, po drejtonte një motomjet kur dyshohet se ka humbur kontrollin e drejtimit. Për pasojë, mjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal kullues pranë saj.

Si pasojë e plagëve të rënda të marra nga përplasja, 40-vjeçari ka ndërruar jetë.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.