Deklaratat e familjarëve të Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit që mbeti i plagosur rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, kanë nxitur reagime të ndryshme lidhur me mënyrën se si u mundësua transferimi i tij në Itali për trajtim të specializuar.

Fillimisht, motra e të riut reagoi përmes një postimi në Instagram, ku falënderoi personat që ndihmuan për dërgimin e të vëllait jashtë vendit, duke theksuar se transferimi ishte mundësuar nga familja, miqtë dhe mbështetësit, dhe jo nga shteti. Ajo kërkoi gjithashtu që rasti të mos përdorej për qëllime politike dhe akuzoi disa portale për publikimin e lajmeve të pasakta.

Një tjetër version ka dhënë vëllai i Erjonit, i cili deklaroi se familja kishte marrë mbështetje nga strukturat shtetërore për nevojat e të riut, përfshirë transportin me avion të posaçëm dhe praninë e mjekëve gjatë udhëtimit drejt Italisë.

Reagimi i tij u publikua edhe nga kryeministri Edi Rama. Vëllai i 28-vjeçarit bëri të ditur se gjendja shëndetësore e Erjonit është aktualisht e stabilizuar dhe se familja ka marrë lajme inkurajuese nga mjekët.

Ai njoftoi gjithashtu se ditën e nesërme Erjoni pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjes së dytë kirurgjikale, duke shprehur shpresën për lajme të mira dhe rikthimin e tij në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.

Reagimi i motrës:

“Ju falënderojmë të gjithëve që jeni interesuar dhe shqetësuar për shëndetin e vëllait tonë, por duam që në këto momente të qëndrojmë larg pjesës politike.

Falënderojmë personat që morën iniciativën për një ndërhyrje më të specializuar në Itali.

I bëj thirrje portaleve të mos ndajnë lajme pa bazë për shikime apo propagandë, për ta nxjerrë Ramën protagonist të ngjarjes dhe për ta kthyer çështjen në politike, duke deklaruar se ai ka dhënë urdhër për të mbuluar shpenzimet e operacioneve.

Stop fake news! E kanë çuar familja, miqtë dhe mbështetësit e familjes sonë dhe jo shteti. Shpërndani lajme të sakta.

Të duam pa fund, Erjon. Kthehu në shtëpi shëndoshë e mirë, duke buzëqeshur, që t’ia gëzojmë zemrën mamit dhe babit.”

Reagimi i vëllait:

“Gjendja e Erjonit për momentin duket e stabilizuar. Na kanë thënë fjalë të mira dhe shpresojmë të vijë vëllai poshtë siç e patëm. Kemi udhëtuar me avion të posaçëm, me mjekë që ishin posaçërisht për vëllanë.

Për çdo lloj iniciative, strukturat shtetërore na janë përgjigjur, që nga avioni e për çdo gjë tjetër. Të gjitha kanë ardhur nga strukturat shtetërore.

Nesër bëhet operacioni i dytë. Shpresojmë të kemi lajme të mira.”