I paralizuar, i palarë, pa ushqim dhe i braktisur në një banesë me qira. Kjo është gjendja në të cilën Fiks Fare gjeti 66-vjeçarin Vangjel Kovaci në Elbasan.
Njeriu që nuk mund të kujdeset më për veten, prej kohësh jetonte në kushte të rënda mjerimi, ndërsa motra, e cila kishte marrë përsipër kujdesin për të, pretendonte se e ushqente, e lante dhe i paguante qiranë. Por pamjet dhe dëshmitë e siguruara nga Fiks Fare tregojnë një realitet krejt tjetër.
Motra pranon se merr pensionin e të vëllait, ndërsa ky i fundit gjendet në gjendje të rëndë, pa kujdesin më minimal njerëzor. Gjithçka nisi me denoncimin e një qytetareje, e cila prej rreth tre vitesh e shihte Vangjelin në gjendje të mjerueshme.
Ajo ka një furrë buke përballë banesës së tij dhe tregon se përpiqej ta ndihmonte sa herë kishte mundësi, duke i dhënë bukë, ushqim dhe diçka për të pirë. Sipas saj, 66-vjeçari jetonte i vetëm dhe motra e vizitonte shumë rrallë. Kohët e fundit gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm. Një ditë me shi, denoncuesja e kishte parë duke u zvarritur dhe duke kërkuar ushqim. E tronditur nga ajo që po shihte çdo ditë, vendosi t’i drejtohej Fiks Fare, me shpresën se dikush do të ndërhynte për ta ndihmuar.

Ai kishte jetuar për rreth 30 vite në Greqi, ku kishte krijuar familje me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Sipas informacioneve të siguruara nga Fiks Fare, kishte qenë një baba i përkushtuar dhe një njeri shumë punëtor. Por pesë vite më parë pësoi një paralizë, e cila i ndryshoi tërësisht jetën. I paaftë për të punuar dhe për t’u kujdesur për veten, ai mbeti pa mbështetjen e familjes dhe u kthye në Shqipëri.
Motra i gjeti një banesë me qira në Elbasan dhe u premtoi të afërmve se do të kujdesej për të. Por çfarë ndodhte realisht pas dyerve të asaj banese?
Fiksi solli pamje tronditëse nga banesa e 66 vjeçarit, ai qëndronte i shtrirë në krevat, i palarë, pa ushqimin e nevojshëm dhe në gjendje të rënduar. Nuk ishte në gjendje të lëvizte dhe as të kujdesej për veten. Ishte vetëm, qante dhe mezi arrinte të komunikonte.
Në banesë shkonte dhe një person nga një fondacion që I çonte ushqim një herë në ditë. Ai tregoi se përpiqej t’i siguronte diçka për të ngrënë, por gjendja e Vangjelit po përkeqësohej çdo ditë.///TCH
