Vijojnë hetimet për zhdukjen e Eglant Koçit, ndërsa në media janë publikuar deklarata të ndryshme nga të ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, të cilat hedhin dritë mbi disa pista të mundshme të ngjarjes.

Sipas gazetares Dorjana Bezat, Koçi dyshohet se kishte një lidhje afatgjatë dashurie me një vajzë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se po zhvilloheshin procedurat për bashkëjetesë dhe finalizimin e marrëdhënies jashtë vendit.

“Kishte lidhje dashurore me të gjatë me një vajzë në SHBA dhe po merreshin me procedurat për të krijuar një bashkëjetesë, finalizim të marrëdhënies në Amerikë”, tha gazetarja Dorjana Bezat.

Po sipas saj, familjarët fillimisht kanë ngritur dyshime se mund të bëhet fjalë për një ngjarje kriminale, pasi sjellja e të riut nuk ishte e zakonshme dhe nuk kishte shenja shkëputjeje të tillë nga familja.

“Dyshimi ishte ngritur nga familjarët se mund të ishte një ngjarje kriminale, se edhe sjellja e tij s’kishte ndodhur që të shkëputej nga familja në këtë mënyrë. Kamerat e fikura nga Enea, i cili është arrestuar, kanë kapur një moment që çon në zbardhjen e kësaj. Ka dyshime se ka të bëjë me tërheqjen e një trupi, por nuk dihet nëse është i Eglantit. Në kamera shfaqet Armand Shakaj që kthehet për të hequr gjurmët. Është momenti kur futet Eglanti në ambient dhe aty fiken kamerat, nuk duket. Nuk është fast food-i që ka në pronësi Armandi, por një ambient tjetër”, rrëfen gazetarja Dorjana Bezat.

Gazetari Ervin Leka deklaron se ambienti ku dyshohet se ka ndodhur ngjarja është një zyrë në pronësi të Armand Shakaj dhe se kamerat e brendshme janë çaktivizuar, ndërsa ato të jashtme janë ndërprerë për të shmangur filmimin.

“Ambienti është zyra e Armandos, ka dhe biznese të tjera në atë kat, dhe ambientet e brendshme janë të mbuluara me kamera sigurie. Ato ishin të shkulura, por jashtë, ku janë bizneset, ishte stakuar energjia elektrike për të mos xhiruar. Policia ka pamje kur Eglanti futet, por jo kur del, pra Armandi ka siguruar të mos filmohet. Policia ka gjetur pamje të automjetit Porsche që del nga ambienti dhe në automjet ka gjak, që çon në dyshime, por kur nuk ka trup, nuk mund të përcaktohet kujt i përket”, tha gazetari Ervin Leka.

Në studio është ngritur edhe një pistë tjetër hetimore për aktivitete të mundshme financiare të paligjshme, përfshirë fajde dhe transaksione me kriptovaluta.

“Dyshimet kryesore janë tek dhënia e parave me fajde nga Armandi, sepse sipas hetuesve paratë me fajde mund të ishin edhe nëpërmjet kriptovalutave. Këtu bëhet lidhja me Eglantin, pasi merrej me këto gjëra dhe kishte një portofol digjital. Nuk kemi asnjë mesazh apo provë konkrete që tregon përplasje, por dyshohet për një konflikt të kohëve të fundit. Eglanti nuk ka dyshuar për këtë fund tragjik, pasi ka shkuar vetë. Dyshohet se ka shkuar për sqarim, por mund të ketë pasur edhe persona të tretë”, tha Ervin Leka.

Pedagogu Kreshnik Myftari tha se rasti aktualisht mbetet i paqartë dhe nuk mund të klasifikohet ende as si vrasje e konfirmuar dhe as si rrëmbim.

“Jemi përballë një vrasjeje dhe zhdukje kufome, jo përballë një rrëmbimi. Nuk dihen shkaqet si ka ndodhur, se mund të kenë qenë duke luajtur me armë dhe ka shkrepur arma, nuk i dihet. Nuk do të thotë që është vrarë me dashje aktualisht, mund të zbulohet, por tani nuk mund ta themi. Më evidente është zhdukja e kufomës nëse ka vdekur prej gjurmëve të gjakut”, tha pedagogu Kreshnik Myftari.

Ai shtoi se një pistë e mundshme është edhe një konflikt i çastit.

“Dyshimet kryesore janë te dhënia e parave me fajde nga Armandi… duhet kapur autori që të konfirmohet”, shpjegon Kreshnik Myftari.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet ende nuk kanë dalë me një version përfundimtar zyrtar mbi fatin e Eglant Koçit.