Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në një mbledhje pas shumë vitesh, shqyrtuan sot ndryshimin e praktikës gjyqësore për vendosjen e masës së arrestit në burg.
I ftuar mbrëmjen e sotme në ‘Top Story’, analisti Arian Curri u shpreh se as kryeministrit Rama dhe as kreut të PD-së Sali Berisha nuk i intereson që të ndryshohet praktika gjyqësore për vendosjen e masës së arrestit me burg.
Duke përmendur të paraburgosur si Ilir Meta apo Erjon Veliaj, të cilët i quajti të paraburgosur ‘VIP-a’, Curri u shpreh se politikanët nuk duan lirinë e tyre sepse ata mund të jenë akoma të rrezikshëm nëse dalin.
“Për mua janë të gjithë në një valle hipokrizie të tmerrshme, sepse askush nuk do ta vendosë këtë padrejtësi të madhe në vend. Askush nga këta nuk do ta bëjë.
As Rama sepse do ndryshonte ligjin procedural, as gjykata e ulët se thonë populli i do në burgim, t’i lëmë në burg, thonë të shkojnë në Strasburg. As gjykata e lartë vetë nuk do ta bëjë, se dhe kur kanë shkuar këta me rekurs, ajo i ka lënë në burg. As Gjykata Kushtetuese nuk do ta bëjë.
Dhe Metën e la sot në burg me një fjali të tmerrshme. “Ekziston perceptimi edhe për një vëzhgues të jashtëm që Ilir Meta mund t’i ketë kryer këto veprime”. Ky është një sistem jashtëzakonisht idiotesk nga gjykata e ulët te kushtetuesja, vë duart në kokë, në këtë vend gjykohesh me opinion, perceptim. Është lëmsh i madh.
Tani për mua e vetmja mënyrë është ta bëjë mazhoranca dhe opozita, të ndërhyjnë në kodin penal. Po a kanë ata realisht interes për këta VIP-a që ju shfaqët aty? Nuk e besoj që po sepse këta VIP-a janë akoma të rrezikshëm po dolën. S’ka për të dalë asnjë nga këta. Berishës dhe Ramën nuk i intereson të dalin këta nga paraburgimi”, u shpreh Curi.
