Reagimi
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë paralajmëron kompaninë “CEZ Shpërndarje” se do mbajë përgjegjësi penale për mosfurnizimin me dashje apo pa dashje të vendit me energji elektrike. Zëvendësministri i METE-s, Eno Bozdo, në një konferencë për shtyp reagoi ndaj CEZ-it për mungesën e energjisë elektrike në disa zona të vendit, duke i bërë thirrje kompanisë CEZ që të mos provokojë tension publik, teksa theksoi se METE ka prova se “CEZ Shpërndarje” nuk ka kryer detyrën për furnizimin me energji elektrike të qytetarëve. “METE i kërkon kompanisë ‘CEZ Shpërndarje’ të mos provokojë tension publik me anë të veprimeve dhe mosveprimeve. Mosofrimi me dashje i një shërbimi publik të domosdoshëm përbën vepër penale. Të gjithë shkelësit do të dalin para ligjit, sot, nesër apo në të ardhmen. METE i kërkon kompanisë së shpërndarjes që të marrë masat për përballimin e defekteve që mund të shfaqen gjatë stinës së dimrit, ndërsa kërkoi gjithashtu që t’u përgjigjet në kohë të gjitha problemeve që do të shfaqen”, tha Bozdo. Zëvendësministri Bozdo deklaroi se ndërprerjet e energjisë elektrike në disa zona të vendit janë bërë për shkak të performancës së dobët të “CEZ Shpërndarje”.