Mungesa e kryeministrit Edi Rama në seancën parlamentare shkaktoi shtyrjen e dy interpelancave të kërkuara nga opozita, pasi kreu i qeverisë ndodhet në një tur zyrtar vizitash në Azi.

Situata solli reagimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili akuzoi Ramën për shmangie të debatit dhe përballjes politike në Kuvend.

Në deklaratën për mediat, Berisha komentoi edhe situatën e krijuar me aeroportin e Vlorës, duke paralajmëruar se Shqipëria mund të përballet me pasoja financiare në arbitrazh ndërkombëtar.

Debate në Kuvend pati edhe për projektin “Porta e Alpeve”, një investim që parashikon rreth 100 milionë euro në qarkun e Shkodrës.

Ndërkohë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, paralajmëroi masa për forcimin e kontrollit dhe rritjen e sigurisë në sektorin e ndërtimit.

Diskutimet u fokusuan te cilësia e materialeve të përdorura në ndërtimet e banimit dhe problematikat me kanalizimet në Tirana.

Po ashtu, mungesa e ministrit të Brendshëm çoi në shtyrjen e një tjetër interpelance, ndërsa ministrja e Shëndetësisë u përball me pyetjet dhe kritikat e deputetëve të opozitës lidhur me situatën në sistemin shëndetësor.