Ish-deputeti demokrat Myslym Murrizi ka vijuar me kritikat e tij ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në një postim në rrjetet sociale, ai e akuzon Berishën se nuk e ka mbajtur premtimin e bërë pas lirimit nga arresti shtëpiak, kur deklaroi se do të “pastrohej” PD.

Murrizi kujton deklaratën e ish-kryeministrit në nëntor 2024, kur ky i fundit u tha mbështetësve para selisë blu: “Zoti ka thënë pastroni shtëpinë që unë të kthehem, dhe ne do ta pastrojmë shtëpinë tonë”. Sipas tij, ndodhi e kundërta, pasi Berisha largoi nga strukturat ata që e kishin mbështetur ndër vite dhe afroi persona që dikur e kishin sulmuar dhe lobuar kundër tij.

Në vijim të reagimit, Murrizi akuzon kreun e PD-së se ka lejuar në grupin parlamentar “këlyshë të Sorosit” dhe se ka dështuar të ndërmarrë nisma reale për pastrimin e partisë. Ai ironizoi se “lufta kundër Sorosit” ka mbetur thjesht një tullumbace që shfryhet, ndërsa theksoi se revolucioni i premtuar brenda PD-së përfundoi si “version 3D”, duke rikthyer në kupolë edhe ata që e sulmuan më 8 janar 2022.

Postimi i plotë i Myslym Murrizit

Revolucioni imagjinar ngeli në versionin 3D ose ‘mund’ të fillojë më 16 shtator, ditën e Konferencës së Pezës. Në nëntor 2024, kur Berisha u lirua nga arresti i shtëpisë në hyrje të selisë së PD ju tha militantëve se:

ZOTI KA THËNE PASTRONI SHTEPINË QË UN TË KTHEHEM

DHE NE DO TA PASTROJMË SHTEPINË TONË

Por, në fakt pas kësaj deklarate fillove ta pastrosh PD nga ata që të kanë qëndruar e mbështetur Doktor, duke ulur në “qoshe” ata që të kanë sharë e sulmuar, që lobuan për të shpallur non grata e që të raportonin nëpër ambasada për të qena e të pa qena. Solle pa votë në kupolën e PD ata që nuk lanë gjë pa thënë prej 9 shtatorit 2021 e që të vunë dajakun më 8 janar 2022, ty Doktor dhe demokratëve.

Lufta ndaj SORROSIT nëse e ke seriozisht, që mua nuk më duket fare se e ke seriozisht, nuk bëhet as me deklarata boshe, as me konferenca shtypi monotone por me veprime konkrete. Por, kur shoh që në grupin parlamentar ke 17 deputetë këlysh të Sorosit dhe mbi 10 anëtarë kryesie dhe nuk ke këllqe të marrësh asnjë nismë për ti “ pastruar” atëherë e gjitha “ lufta” demagogjike kundra Sorosit, shfryhet si tullumbace Doktor se as Presidenti TRUMP as administrata e Tij nuk janë si ata servil që duartrokasin në çdo mbledhje e nuk lënë kusur pa të sharë në çdo takim me të huajt.

Politika nuk bëhet me deklarata falco Doktor pa asnjë veprim konkret për çfarë deklaron. A e ‘pastron’ dot shtëpinë doktor?????? Mua më duket që jooooo.

Joooo se nuk të lënë as ata që të kanë rrethuar, as ata që të kanë sharë e sulmuar, e as ata që të duket sikur të kanë “ndihmuar”. Kjo botë është bërë e hapur, e lexueshme, e kuptueshme dhe informacionet nuk janë më monopol i një grushti njerëzish të vegjël Doktor, që duan të duken të mëdhenj duke heshtur se janë debil e servil.

Komunikimi dhe informacionet e kanë “zvogëluar” shumë këtë bote Doktor sa askush nuk mund të mashtrojë me të njëjtin “ stil” për një kohë të gjatë. Morali i politikës nuk janë bashkim numerik frymorësh, por bashkim vlerash rreth kauzave që nuk shiten në pazar e që nuk “ falen” kurrë për çfarëdo halli apo interesi.