Në një fermë me 220 krerë dhi në Shupenzë të Bulqizës është konfirmuar murtaja e ruminatëve të vegjël. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve thotë se rasti është dyshuar më 30 mars dhe pas konfirmimit të virusit nga analizat laboratorike u asgjësuan kafshët në fermë dhe u dezinfektua I gjithë ambienti. Ferma u vendos në karantinë dhe në një zonë prej rreth 10 km u krye hetim epidemiologjik.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve thotë se nuk janë evidentuar raste të tjera të dyshuara.
Autoriteti u bën thirrje të gjithë mbarështuesve të kafshëve të imta të zbatojnë masat e biosigurisë dhe të kufizojnë lëvizjen e kafshëve brenda dhe jashtë fermave. Murtaja e dhenve është një sëmundje qe nuk transmetohet tek njerëzit.
