Sipas Tomorr Boriçit, fshehja e autorit për 24 orë u bë qëllimisht
Deklarata e myftiut të Lushnjës, Tomorr Boriçi, pritet të jetë shtysë për hetimin e pistave të reja
Edmond Hoxhaj
“Mesazhi është për mua! Në të vërtetë viktima ishte vjehrri im, por e ritheksoj se mesazhi është për mua”. Kështu ka deklaruar dje para mediave myftiu i Lushnjës, Tomorr Boriçi, i cili ka theksuar se vrasja e vjehrrit 86-vjeçar pasditen e të premtes në xhaminë e Dushkut, ishte një mesazh për të. Gjithashtu, ai e ka cilësuar vrasjen si të mirorganizuar duke nënkuptuar se pretendimet e autorit që pohoi se gjithçka kishte ndodhur për motive të dobëta, janë të pavërteta.
Deklarata
“Nuk ka dyshim jemi vrarë dy herë, si besimtarë dhe si institucion. Ky krim ka tronditur të gjithë njerëzit. Në të vërtetë viktima ishte vjehrri im, por mesazhi është për mua, e ritheksoj, mesazhi është për mua, qoftë si qytetar, si besimtar apo si myfti”, pohoi Boriçi. Ndërkohë, myftiu Tomorr Boriçi i ka kërkuar drejtësisë që të jetë e kujdesshme në hetimin e kësaj vrasjeje, duke e cilësuar vrasjen si të paramenduar dhe jo për motive të dobëta. Ai u ndal edhe te mënyra se si u trajtua çështja gjatë 24 orëve pas vrasjes, kur nga policia u deklarua se dyshohej se 86-vjeçari Shemshir Muça ishte vetëvrarë. “Mesazhi duhet të lexohet se; ky krim ka skenar dhe nuk duhet t’i shpëtojë drejtësisë. Madje, fillon që me fshehjen e autorit të krimit për më shumë se 24 orë të tëra. Të gjithë besimtarët e Dushkut kanë pasur gjithmonë kërcënime të rënda”, theksoi myftiu. Më tej, ai dha argumentet pse dyshonte se gjithçka kishte qenë e parapërgatitur dhe jo një konflikt i çastit. “Autori ka ardhur nga Greqia një ditë para kryerjes së aktit. Nuk ka ardhur asnjëherë në xhami, qoftë edhe si kureshtar. Do të ndjekim të gjitha hapat ligjorë dhe do të presim derisa drejtësia të shkojë në vendin e duhur”, e ka përfunduar deklaratën e tij myftiu i Lushnjës, Tomorr Boriçi.
Hetimet
Deklarata e myftiut të Lushnjës, Tomorr Boriçi, pritet të jetë shtysë për hetimin e pistave të reja, për sa u përket motiveve që çuan në vrasjen e vjehrrit të tij, 86-vjeçarit Shemshir Muça. Kjo, pasi ai deklaroi publikisht se vrasja e vjehrrit ishte një mesazh i qartë për të. Burime konfidenciale nga policia dhe Prokuroria e Lushnjës bënë me dije për gazetën se do të merren në konsideratë deklarimet e myftiut. Kjo, pasi ai pohoi se vrasja mund të jetë një mesazh për të. Ndërkaq, hetuesit janë duke verifikuar të kaluarën e 38-vjeçarit Arjan Alla, i cili rezulton të ketë jetuar në Greqi gjatë 15 viteve të fundit. I prangosuri, baba i dy fëmijëve, kishte tre vjet që nuk ishte kthyer në vendlindje. Ndërsa është kthyer në Dushk-Sektor të Lushnjës vetëm 24 orë para vrasjes, ka shkuar të nesërmen në xhami, ku edhe kreu krimin monstruoz. Nga hetimet ka rezultuar se 38-vjeçari kishte shkuar rreth orës 16:00 të së premtes në xhaminë e Dushkut. Pak më vonë aty ka mbërritur edhe vjehrri i myftiut Boriçi, 86-vjeçari Shemshir Muça. Gjatë marrjes në pyetje i prangosuri Arjan Alla ka deklaruar se kishte shkuar në xhami dhe ishte duke sistemuar disa sende që nuk i dukeshin në vendin e duhur, kur aty ka mbërritur 86-vjeçari Shemshir Muça. Sipas Allës, Muça e ka pyetur se kush ishte dhe se çfarë bënte aty. Ky ka qenë edhe shkaku i nisjes së debatit mes tyre sipas të ndaluarit. Më pas ai ka shpjeguar se i moshuari e ka ofenduar dhe i ka thënë të largohej, ndërsa ai e ka qëlluar me grusht duke e rrëzuar në tokë. “Kur u rrëzua i doli nga brezi biçaku, të cilin e kishte të lidhur me një ushkur në brez. Unë tërhoqa biçakun dhe në këtë moment iu ulën poshtë pantallonat. Pasi e këputa ushkurin e qëllova me thikë në fyt”, ka deklaruar Alla para hetuesve. Ai ka shtuar se më pas i ka hequr orën dhe unazën, duke ia vendosur në shputën e duarve, pasi kishte dëgjuar se ishte mirë për të vdekurin. Në momentin që autori ka qenë duke i dhënë fund të ndjerit, aty ka mbërritur një banor i fshatit besimtar, Xhelo Zeqiri. Ai ka arritur të shquajë tiparet e autorit. Xhelo deklaroi pak ditë më parë për “Shqip” se autori ishte trupmadh, me flokë të verdha dhe fytyrë kuqalashe. Mbi bazën e deklaratës së tij u arrestua edhe autori i krimit.