Forumi fetar: Mbrojmë familjen, dënojmë fenomenet e dëmshme për shoqërinë
Shpresa Mezini
Sot, në orën 11.00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të zhvillohet parada e komunitetit LGBT, datë që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Homoseksualëve dhe Lezbikeve. Kreu i “Ambasadës Pink”, Altin Hazizaj, kërkon që sot në paradë të ngrihet edhe flamuri i këtij komuniteti. “Në Shqipëri 10% e popullsisë janë homoseksualë. 17 maji është një ditë speciale për ne. Është dita ndërkombëtare kundër homofobisë”, tha Hazizaj. Por, nga ana tjetër, Forumi Mysliman e kundërshton fort iniciativën e tyre, duke e quajtur këtë si fenomen të dëmshëm për shoqërinë tonë. Madje ata kanë vendosur që të marshojnë sot në po të njëjtën orë dhe vend, por jo për t’i mbështetur ata, por për të sensibilizuar qytetarët që të ruajnë vlerat themelore të familjes. Nën moton “Pro familjes, pro moralit, pro jetës”, Forumi Mysliman i Shqipërisë së bashku me Lidhjen e Hoxhallarëve të Shqipërisë, do të zhvillojnë sot një manifestim në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes. Roald Hysa, sekretari i Forumit Mysliman, sqaron për gazetën “Shqip” se sot, më 17 maj, në orën 11.00 do të marshojnë me qëllimin sensibilizimin e qytetarëve për të mbrojtur vlerat e familjes, të cilat duhet të jenë të shenjta për çdo individ. “Ne jemi për vlerat e larta morale dhe të shëndosha familjare, pikërisht në këto ditë kur entiteti kryesor i shoqërisë shqiptare, qeliza bazë e saj, familja është tejet e rrezikuar”, tha Hysa. Kjo, sipas tij, për shkak të paradës që komuniteti LGBT do të zhvillojë sot në po të njëjtën orë dhe vend, me qëllim respektimin e të drejtave të tyre.
“Manifestimi ynë nuk synon kundër protestë, as një kundërpërgjigje vulgare për paradën e këtij komuniteti, por ndërgjegjësimin e qytetarëve për të respektuar dhe ruajtur me fanatizëm vlerat morale të familjes, bërthamës së çdo shoqërie. Duke iu referuar axhendës, mendojmë që marshimi të nisë fillimisht me një përshëndetje të shkurtër, ndërsa në duar do të kemi një banderolë ku shkruhet: Pro familjes, pro moralit, pro jetës. Nuk synojmë të pengojmë paradën, as të krijojmë situata konfliktuale, sepse i kemi instruktuar të gjithë pjesëmarrësit që të mos kenë në duar banderola fyese”, theksoi sekretari i Forumit Mysliman. Sipas tij, në manifestimin e sotëm do të marrin pjesë edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët e mbështesin iniciativën tonë. “Nuk synojmë masivizim, edhe pse them me bindje që ‘sponsori’ kryesor është publiku”, shtoi Hysa. Ai tregon se aktiviteti do të zhvillohet në sheshin para Galerisë së Arteve dhe parkut “Rinia”, ndërsa për zhvillimin e tij kanë marrë leje në polici.
Ndërkohë, zyrtarisht mësohet se uniformat blu i kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për aktivitetin që shoqata pro LGBT do të zhvillojë sot. Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë të ditur se aktiviteti, sipas lejes së dhënë, pritet të zgjasë rreth 3 orë, ndërsa do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Për këtë arsye në këtë orar policia, si në çdo aktivitet tjetër të ngjashëm, do të bllokojë qarkullimin e automjeteve, ndërsa ka marrë masa për shmangien e çfarëdolloj incidenti apo përplasjeje që mund të krijohet.
Reagimet
“Qysh nga koha e hapjes së debatit për paradën e LGBT-ve në Tiranë e deri më sot, kemi pasur rastin që të konstatojmë me kënaqësi se shumica dërrmuese e shoqërisë shqiptare është kundër presionit të një grushti njerëzish, të cilët po përpiqen për të përhapur fenomene të dëmshme për shoqërinë shqiptare e që bien ndesh me moralin tonë shoqëror, por edhe më gjerë. Në adresë të PLL-së dhe drejtuesve të saj kanë mbërritur me mijëra
telefonata, mesazhe dhe email-e, ku shprehet mbështetja e qytetarëve për qëndrimet tona tashmë publike dhe na kërkohet që të bëhemi zëri i tyre në mbrojtjen e vlerave dhe dinjitetit tonë shoqëror e kombëtar”, thuhet në deklaratën e djeshme për shtyp të kësaj partie. Reagimet që nxiti deklarata e kreut të PLL-së janë të shumta. Në takimin me Kryeministrin Sali Berisha, ministri për Çështjet Europiane të Danimarkës, Nicolai Wammen, ngriti shqetësimin për deklaratën e kryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit drejtuar ambasadorit holandez, Henk Van den Dool. Kryeministri theksoi se kjo deklaratë është një qëndrim personal i zotit Spahia dhe tërësisht i papranueshëm e që nuk shpreh qëndrimin zyrtar dhe vlerësimin më të lartë të qeverisë shqiptare për rolin dhe kontributin e ambasadorit të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Të njëjtin qëndrim zyrtar mbajti edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, i cili dënon me forcë çdo retorikë diskriminuese të përdorur nga politikanë kundrejt komunitetit LGBT-së. “Komentet dhe thirrja e bërë lidhur me kolegun tim të Bashkimit Europian janë për të ardhur keq dhe të papranueshme. Më lejoni të theksoj se Bashkimi Europian, anëtare e të cilit Shqipëria aspiron të bëhet, bazohet në vlerat themelore të respektimit, mbrojtjes dhe promovimit të të gjitha të drejtave njerëzore dhe në luftën kundër çdo lloj diskriminimi”, tha Sequi.