Vendorët kërkojnë ndërhyrjen nga ajri për dezinfektimin e zonave të rrezikuara
Edmond Hoxhaj
Lënia pas dore e higjienës dhe bonifikimit të hapësirës fushore të Myzeqesë gjatë dy dekadave të fundit ka sjellë në pah rrezikun e rikthimit të malaries. Myzeqeja është zona që rrezikon të kthehet në identitetin e saj të hershëm, duke u ribërë një strehë e mushkonjës anofele, e cila është transmetuesi kryesor nga njeriu te njeriu i sëmundjes së malaries. Rritja e menjëhershme e temperaturave ka bërë që të krijohen çerdhe të këtyre mushkonjave, të cilat gjallërohen në ambientet kënetore. Për shkak të mungesës së mirëmbajtjes së kanaleve kulluese, ka mjaft zona që kanë nisur të kënetëzohen, duke risjellë rrezikun e malaries. Ndonëse këtë vit nuk është konstatuar ende ndonjë individ i infektuar me sëmundjen e malaries, gjatë verës së kaluar tre persona në Rrethin e Fierit u prekën nga kjo sëmundje. Më i alarmuar për këtë situatë është komuniteti i zonave në të cilat këto mushkonja mund të shumohen. Por, drejtuesit e pushtetit vendor, edhe pse e dinë mirë rrezikun që u kanoset banorëve, ndihen të pafuqishëm për ta përballuar këtë situatë.
Kryekomunari
Lidhur me këtë shqetësim ka folur për gazetën kryetari i Komunës Dërmenas, Viktor Fasko, një prej njësive vendore që zotëron në juridiksionin e saj territore të etiketuaka si “çerdhe” të mushkonjës anofele. Fasko ka pohuar se ndonëse komuna ka nisur të kryejë higjienizime në zona të veçanta, nuk ka mundësi ta zgjidhë përfundimisht këtë problem. “Ne si komunë jemi në dijeni të këtij rreziku dhe jemi kujdesur që të kryejmë spërkatje me pompa të vogla me zetor në ato zona që janë cilësuar si të nxehta. Por me këto instrumente dhe fonde që kemi, nuk mund ta zgjidhim situatën përfundimisht. Ne përpiqemi që të higjienizojmë e dezinfektojmë hapësira të caktuara, por nuk arrijmë të mbulojmë gjithë sipërfaqen. Kjo situatë kërkon edhe vëmendjen e qeverisë, gjë që ne e kemi kërkuar. Mobilizimi dhe ndërhyrja me mjete të sofistikuara nga ajri për dezinfektim do të mbante të pastër gjithë masivin pyjor dhe vijën bregdetare, duke parandaluar ndonjë epidemi të mundshme të malaries, apo sëmundjeve të tjera infektive”, ka theksuar kryetari i Komunës Dërmenas, Viktor Fasko.
Shëndeti publik
Ndërkaq, edhe burime pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik Fier, kanë pohuar se ky shqetësim është i pranishëm çdo stinë të nxehtë, pasi rrezikon përhapja e infeksionit të malaries. Sipas këtyre burimeve, mushkonjat janë treguesi më i mirë për një përhapje të sëmundjes së malaries. Ndërkohë që janë konstatuar me dhjetëra hektarë tokë në zonën e Myzeqesë, që janë pushtuar nga ujërat e ndotura e jo të rrjedhshme, të cilat kthehen në vatra infeksioni. Burimet pranë DRSHPF-së kanë pohuar se prej tyre është kërkuar dezinfektimi i zonave që përbëjnë rrezik, të cilat kanë mbetur të neglizhuara gjatë dy dekadave të fundit. Ato shtojnë se nevojitet ndërhyrja në kohën e duhur që këto burime epidemish të parandalohen pa nisur ende temperaturat e larta të stinës së verës.
Rastet e fundit
Gjatë pesë viteve të fundit janë konstatuar 11 raste të malaries në vendin tonë, tre ndër të cilat gjatë vitit të kaluar. Mësohet se këto raste dyshohet të kenë qenë të mbartura nga persona që kanë jetuar në Afrikë për një kohë të caktuar e më pas janë kthyer në vendlindje. Për dezinfektimin e mushkonjës anofele nevojiten preparate të miratuara nga farmacitë bujqësore dhe shëndeti publik. Sipas specialistëve, kjo lloj mushkonje kërkon një preparat të veçantë që të asgjësohet. Sipas burimeve pranë DRSHPF-së, kjo lloj mushkonje mund të bëhet mbartëse e më pas transmetuese e sëmundjes së malaries, e cila mund të jetë përfituar nga ndonjë person që ka jetuar jashtë Shqipërisë. Lidhur me simptomat e malaries, mjekët sqarojnë se pickimi i mushkonjës shoqërohet me temperaturë që shfaq dobësi, dhimbje të forta të kokës, ethe, dhimbje e mpirje të muskujve, kryesisht ato të qafës. Ata theksojnë se, nëse të prekurit nga kjo sëmundje nuk shkojnë në kohë te mjekët, mund t’u rrezikohet edhe jeta.
