Në konferencën e përbashkët me delegacionin Hungarez për hapjen e negociatave me BE-në, kryeministri Edi Rama nuk i ka shpëtuar dot pyetjes për kampet e emigrantëve që janë hapur në Gjadër dhe Shëngjin.
Rama ka konfirmuar se ka marrë oferta dhe nga vende të tjera të Evropës, për të lidhur të njëjtën marrëveshje si me Italinë, por sipas tij, këto kërkesa janë refuzuar. Ai shtoi se vendi ynë ka marrëdhënie të veçantë me Italinë dhe për këtë arsye u pranua kjo marrëveshje.
Ndër të tjera, Rama tha se kjo marrëveshje është tregues që Shqipëria është e denjë për të qenë pjesë e BE-së.
“E kam shpjeguar për gazetarë të panumërt në Berlin për arsyen përse Shqipëria e ka bërë këtë marrëveshje dhe se si e shohim në këtë dukuri. Mund të them që po, na është kërkuar nga të tjerë dhe kemi thënë jo. Të gjithë duhet të kuptojnë se marrëdhënia jonë me Italinë është mjaft e veçantë dhe shkon pas në kohë me një volum shumë, shumë volume domethënëse ndërveprimi, që kur dolëm nga gropa e ferrit e regjimit më mizor komunist kur u larguan me qindra mijëra nga brigjet tona dhe Italia hapur krahët për ne, apo kur erdhi të na shpëtonte pas rënies së skemave piramidale, e duke ardhur tek ditët e tërmetit që komisioneri Varheley i përmendi si fillese i rindërtimit tonë të kësaj marrëdhënie. Pra nëse kjo për Italinë ka qenë e pistë, atëherë na duhet të reciprokojmë. Ne nuk jemi vend i BE.
Gjeografia jonë flet shumë për atë çfarë kemi bërë me Italinë dhe nëse ka ndonjë gjë për t’u zhvilluar me këtë model duhet të jetë në shkallët e epërme. Ndaj duhet kuptuar pse BE dhe Ballkani perëndimor duhet të punojnë me njëri-tjetrin. Dukuria e emigracionin është duke punuar ndaj këtij fenomeni. Një gjë është të luftosh emigracionin e paligjshëm dhe një gjë tjetër është të garantosh emigracion të rregullt dhe Evropës i duhet t’i bëjë të dyja këto. Në fund do të thosha që jemi shumë të prirur të bëjmë çdo që gjë është e nevojshme për të qenë një shtet krenar i BE. E di që ndonjëherë për më të voglin ka në punë të madhe për të bërë, por kur hyn në një familje të madhe ndonjëherë duhet të marrësh gjera të tjera në menu që nuk janë kaq të shijshme, por duhet ta bësh. Kjo është mënyra si e shohin, e kam thënë BE nuk do të ketë kurrë një vend më besnik se Shqipëria.”- tha Rama.