Pas ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja, autori Elvis Shkëmbi ka përjetuar një tronditje të rëndë psikologjike kështu thuhet në dosjen hetimore të prokurorisë.

Sapo ka dalë në oborrin e Gjykatës së Apelit së bashku me xhaxhain e tij, Shkëmbi i ka dorëzuar këtij të fundit çelësat e makinës duke i kërkuar që të largohej. Megjithatë xhaxhai nuk është larguar dhe kanë qëndruar të dy aty deri në mbërritjen e forcave të policisë. Para se oficerët të hynin në ambientet e gjykatës, Shkëmbi u është drejtuar duke deklaruar se ishte ai autori i të shtënave me armë.

Xhaxhai i tij ka dëshmuar se në momentin e vrasjes ai ka qenë pranë tij, por është ngrirë nga shoku sapo ka dëgjuar të shtënat. Sipas tij, pas krimit Shkëmbi ka qenë në gjendje të rëndë emocionale dhe përsëriste me zë të dridhur frazën: “Na fike!”

Autori ka deklaruar se pistoletën me të cilën kreu krimin e kishte në posedim prej rreth 10 vitesh dhe nuk e kishte përdorur kurrë më parë. Ai ka pranuar se e ka mbajtur shpesh me vete në seanca të mëparshme gjyqësore apo institucione ku ka shkuar për të kërkuar “të drejtën e tij”, por siç thotë, gjithmonë vetëm për vetëmbrojtje.

Shkëmbi ka pretenduar se në momentin e të shtënave është shtyrë nga “urrejtja e madhe” për vendimin e padrejtë të gjykatësit Kalaja. Megjithatë, sipas prokurorisë, ai shprehet i penduar për atë që ndodhi, duke e cilësuar veprimin si pasojë të një “tronditjeje të çastit”.