Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku një 29-vjeçar është shantazhuar nga 6 persona për një shumë parash që ai ua kishte borxh.
Sipas policisë, autorët, 3 prej të cilëve vëllezër, kanë shantazhuar dhe kërcënuar vazhdimisht nëpërmjet telefonatave të riun dhe familjen e tij, duke i kërkuar paratë. Deri më tani është arrestuar një prej tyre, teksa 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Ndërkohë, 1 person është në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Pretendimi”.
Kanosën dhe shantazhuan një 29-vjeçar dhe familjarët e tij, për dhënien e një shume parash që pretendonin se këta shtetas ia kishin borxh, identifikohen 6 autorët e dyshuar (3 prej tyre vëllezër). Vihet në pranga 1 prej tyre, procedohen penalisht 4, punohet për kapjen e tjetrit. Sekuestrohet 1 automjet.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas njoftimit të marrë se një 29-vjeçar dhe familjarët e tij po kanoseshin për dhënien e një shumë parash, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pretendimi”, u identifikuan 5 autorët e dyshuar, nga të cilët: -u arrestua në flagrancë shtetasi E. C., 26 vjeç; -nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. C., 35 vjeç, R. B., 35 vjeç, S. B., 19 vjeç, banues në Librazhd dhe L. F., 32 vjeç, banues në Peshkopi; -u shpall në kërkim shtetasi A. C., 28 vjeç, vëllai i 26-vjeçarit të arrestuar dhe i 35-vjeçarit të proceduar.
Nga hetimet dyshohet se këta 6 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur dhe shantazhuar nëpërmjet celularit, 29-vjeçarin dhe familjarët e tij, me pretendimin se këta shtetas i kishin borxh një shumë të konsiderueshme parash. Punohet për kapjen e shtetasit A. C. dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.



