Dy ministre belge, Annelies Verlinden (Ministrja e Drejtësisë) dhe Anneleen Van Bossuyt (Ministrja e Azilit dhe Migracionit), ndodhen në një vizitë tre-ditore në Shqipëri dhe Kosovë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe migracionit.
Fokusi kryesor i vizitës është mbipopullimi i burgjeve në Belgjikë dhe lufta kundër krimit të organizuar, ku Shqipëria dhe Kosova konsiderohen vende me rol kyç.
Belgjika po shqyrton seriozisht marrjen me qira ose ndërtimin e një burgu jashtë vendit, ku do të dërgohen të dënuarit e huaj pa leje qëndrimi. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ministrat belgë pritet të diskutojnë konkretisht mundësinë që Shqipëria të pranojë kthimin e të dënuarve shqiptarë për të vuajtur dënimet në atdhe.
Sipas të dhënave zyrtare, 307 shtetas shqiptarë ndodhen aktualisht në burgjet belge, prej të cilëve 253 nuk kanë të drejtë qëndrimi në vend.
“Nëse ata që janë dënuar dhe nuk kanë të drejtë qëndrimi mund ta vuajnë dënimin në vendin e origjinës, kjo lehtëson sistemin tonë penitenciar dhe garanton zbatimin e dënimit”, u shpreh ministrja Verlinden.
Delegacioni belg do të propozojë gjithashtu një marrëveshje për ndarjen e pasurive kriminale të sekuestruara gjatë hetimeve të përbashkëta në Shqipëri dhe Kosovë. Synimi është që një pjesë e të ardhurave kriminale të kthehet në buxhetin e shtetit belg.
Në Kosovë, do të diskutohet edhe një traktat dypalësh për ndihmën e ndërsjellë juridike, për të forcuar bashkëpunimin afatgjatë në hetime penale dhe procese gjyqësore.