Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka publikuar dokumente që sipas tij vërtetojnë burimin dhe deklarimin e pronave të tij në Itali, pas akuzave të ngritura nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Shehaj deklaroi se ka bërë një transparencë të plotë për pasuritë e tij dhe publikoi dokumente italiane lidhur me vilën e deklaruar në ILDKPKI, e cila sipas tij është blerë në vitin 2019 dhe më pas është rindërtuar me një investim të konsiderueshëm.
Sipas kreut të Mundësia, prona është blerë për rreth 2.9 milionë euro, ndërsa në vitin 2020 është marrë leja për ndërtimin e një vile prej rreth 500 metrash katrorë. Ai pretendon se në rindërtim janë investuar rreth 4 milionë euro dhe se prona është shitur në vitin 2025 për 15 milionë euro.
“Po bëj atë që nuk e ka bërë asnjë politikan tjetër në Shqipëri: transparencë totale për pronat e mia. Çdo gjë është deklaruar dhe dokumentuar sipas ligjeve italiane”, tha Shehaj.
Ai publikoi gjithashtu të dhëna për një tjetër pronë në Itali, për të cilën tha se është blerë për 10 milionë euro dhe se synon ta rikonstruktojë për një investim të ardhshëm.
Shehaj akuzoi mazhorancën se sulmet ndaj tij janë të motivuara politikisht dhe i kërkoi kryeministrit Edi Rama të bëjë të njëjtën gjë për pronat e tij, duke iu referuar vilës në Surrel.
“Kjo është ajo që duhet të bëjë një politikan, të japë shpjegime për qytetarët dhe të bëjë transparencë”, u shpreh kreu i Partisë Mundësia.
Ai shtoi se akuzat ndaj tij nuk do ta ndalin aktivitetin politik dhe denoncimet ndaj qeverisë, duke i cilësuar sulmet si një përpjekje për ta dëmtuar politikisht.
