Shumë drejtues mjetesh nga Shqipëria po zgjedhin të furnizohen me naftë në Maqedoninë e Veriut, për shkak të çmimeve më të ulëta krahasuar me tregun vendas.

Diferenca e konsiderueshme e çmimit ka bërë që kjo  të kthehet në një fenomen të përhapur, sidomos në zonat pranë kufirit.Aktualisht, çmimi i naftës në Maqedoninë e Veriut varion nga 140 deri në 160 lekë për litër, ndërsa në Shqipëri arrin deri në 220 lekë për litër.

Kjo diferencë prej dhjetëra lekësh për litër i shtyn qytetarët shqiptarë të kalojnë kufirin për t’u furnizuar, duke kursyer ndjeshëm në shpenzimet mujore.

Drejtues mjetesh nga zona të ndryshme tregojnë se kjo zgjedhje është bërë pjesë e rutinës së tyre.

Një qytetar nga Prrenjasi shprehet se furnizohet një herë në muaj në Maqedoni, duke theksuar se çmimet janë dukshëm më të ulëta se në Shqipëri dhe se për të kjo është një zgjidhje e leverdishme. Ndërsa një drejtues nga Pogradeci pohon se sa herë i jepet mundësia, kalon kufirin për të mbushur makinën me karburant më të lirë.

Nga ana tjetër, edhe drejtuesit nga Maqedonia e Veriut konfirmojnë këtë fluks. Një drejtues nga Struga tregon se shpesh sheh automjete me targa shqiptare që furnizohen në pikat e karburantit, ndërsa një qytetar nga Shkupi e cilëson naftën në vendin e tij si më të lirë dhe cilësore.

Ky fenomen vë në dukje dallimet e theksuara të çmimeve të karburanteve në rajon dhe ngre pritshmëri nga qytetarët që institucionet shqiptare të ndërmarrin masa për uljen e tyre, me qëllim lehtësimin e kostos së jetesës.