Ish-drejtoresha e përgjithshme e Doganave dëshmoi me cilësinë e personit që ka pasur dijeni të çështjes


Elisa SpiropaliPyetet në cilësinë e personit që mund të ketë pasur dijeni mbi zhdukjen e 4.4 milionë litrave naftë, ish-drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali. Dje paradite, Spiropali ka dhënë deklarimet e saj lidhur me shpërdorimin e detyrës të kryer nga ish-vartësit e saj. Mësohet se Spiropali është pyetur nëse ka pasur dijeni lidhur me veprimet e ish-zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme të Doganave, Lula Njezba, e cila nga hetimet rezultoi se urdhëronte verbalisht vartësit e saj që të kryenin veprime në favor të një kompanie. Burimet nuk kanë bërë të ditur detaje rreth deklarimeve të Spiropalit, duke i konsideruar ato si sekret hetimor. Mësohet se në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni rreth kësaj afere të dyshuar janë pyetur edhe dhjetëra punonjës e ish-punonjës të tjerë të administratës së doganave. Burimet pohojnë se pasi të sigurohen të gjitha deklarimet e personave që dyshohet se mund të kenë pasur dijeni mbi këtë ngjarje, qëndrimet e tyre do të ballafaqohen mes tyre dhe me provat e siguruara gjatë hetimit paraprak. Prokuroria e Fierit ka evidentuar 7 zyrtarë të doganave, përfshirë edhe ish-zv.drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave, Lula Njebza, dhe urdhëroi arrestimin e tyre pas lejes së marrë nga gjykata, si përgjegjës për veprën penale “shpërdorim detyre”, me pasojë zhdukjen e 4.4 milionë litra naftë “virgin” nga depozitat e kompanisë “Tea Construction & Petrol”, me administrator Adrian Xhillari. Ndaj tij është nxjerrë gjithashtu urdhër arresti, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Kontrabandës me mallra që paguhet akcizë”. Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se kompania e Xhillarit ka marrë lejen nga autoritetet doganore për të transportuar naftën “virgin” në pronësi të kompanisë së tij, nga depot e Mëzezit, Tiranë, për në depot pranë rafinerisë së përpunimit të naftës, në Ballsh. Por, kjo sasi nafte (4.4 milionë litra), e cila nuk lejohet të dalë në treg, pasi është e cilësisë bruto, nuk ka mbërritur në depozitat në Ballsh, por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke u shitur në treg të lirë. Sipas prokurorisë, krahas pasojave për mjetet e qytetarëve, “zhdukja” e kësaj sasie të madhe nafte, i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në mbi 2 milionë euro nga shmangia e pagimit të akcizës. Prokuroria e Fierit, në vijim të hetimeve ka konstatuar se “zhdukja” e 4.4 milionë litrave naftë “virgin” të “Tea Construction & Petrol” është realizuar pasi zyrtarët e doganave që kishin për detyrë të regjistronin lëvizjen e sasisë së karburantit nga Mëzezi në Ballsh dhe të monitoronin depozitimin e saj në depot përkatëse, nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Për këtë arsye, Gjykata e Fierit, pranoi kërkesën e Prokurorisë së këtij qyteti për caktimin e masave të sigurisë “arrest në burg” për; ish-zv/drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave; Lula Njebza, ish-kryetarin e Doganës Tiranë, Mirarbër Teneqexhiu, ish-shefin e Akcizës, Alfred Bushi, dhe doganierët e akcizës, Adrian Alikaj e Syrja Misiraj. Ndërsa u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për dy doganierët e akcizës Ortenca Zorba e Elona Jareci. Ndërkohë që, në muajin maj 2015, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të “Kontrabandës me mallra që paguhet akcizë”, për Adrian Xhillarin, administratorin e kompanisë “Tea Construction & Petrol”. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton se është larguar nga Shqipëria, para se të vendosej masa e sigurisë nga gjykata.


Re.Rre.