Të mërkurën është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt. Në këtë seancë është përmendur edhe emri i Behgjet Pacollit, për një kontratë borxhi mes Naim Murselit dhe tij.
Murseli tha se me Pacollin ka ekzistuar një parakontratë borxhi, dhe se ishte shlyer në mënyra tjera.
“Po, kjo është kontratë borxhi. E vërtetë në mes meje dhe zotit Pacolli. Shuma 100 mijë euro dhe thotë këtu ka normë interesi vjetor prej 0%, dhe nuk tregon kur ka qenë afati i shlyerjes së borxhit. Borxhi ka ekzistuar por është shlyer në mënyra tjera Nuk është dokument i noterizuar por është parakontratë”-, ka deklaruar Murseli.
Në Gjykatë është përmendur edhe borxhi që Naim Murseli ka në një nga bankat e Kosovës, në vlerë 219 mijë e 296 euro.
“Siç e kam përmendur herën e kaluar unë dhe bashkëshortja ime, Liridona, kemi blerë një shtëpi përmes kredisë. Do të thotë ajo shumë është kredia e shtëpisë. Ka dallim, pasi shtëpia është në hipotekë. Nuk e paguan ta merr shtëpinë”, tha Murseli, ndërsa shtoi se shtëpia ishte hipotekë, kur u pyet nëse këtë ai e konsideronte borxh.
Në anën tjetër, në lidhje me këto para, Pacolli ka deklaruar në një intervistë se e kishte ndihmuar gjithmonë Murselin dhe se nuk kishte kërkuar t’ia kthente borxhin.
“I kam ndihmuar gjithmonë atij. S’e kam kërkuar atë borxh mbrapa hiç. Po më duket ka mbet një borxh prej kur e ka ble një lokal përpara atje në Suedi. Sa unë e di komplet këto janë praktikisht gjëra që janë publike, të njohura”, u shpreh ai.


