Ditën e djeshme Gjykata dënoi me burg përjetë Naim Murselin dhe bashkëpunëtorët e tij për vrasjen tragjike të Liridona Ademajt.

Gazetari Faton Mehmeti ka zbardhur detaje të reja nga kjo ngjarje, teksa zbuloi se Naim Murseli vendosi ta vriste bashkëshorten, jo vetëm për paratë por edhe sepse raporti i tyre ishte krisur pas një tradhtie të Murselit. Ky i fundit kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me një të afërme të tyre.

“Naim Murseli e kishte tradhtuar Liridonën me një të afërme të cilën të dy e njihnin. Liridona kishte dijeni për këtë dhe kjo kishte shkaktuar një krisje mes tyre. Për hir të fëmijëve të mitur ata nuk janë divorcuar, por ama kanë patur konflikte pasi Liridona nuk e kishte falur Naimin. Në momentin që Naimi ka qenë në dijeni të përfitimit monetar nga siguracioni i jetës së Liridonës në Suedi, ai ka planifikuar vrasjen për të larguar Liridonën nga jeta e tij por dhe për të marrë paratë sepse kishte një sërë borxhesh.”- tha ai.