Drejtuesi i Partisë Demokratike Ivi Kaso ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë ku u përfshi deputeti demokrat, Bledjon Nallbati dhe vëllai i tij, pasi dhunuan një shofer kamioni.

Kaso ka kërkuar falje në emër të PD-së, por nga ana tjetër, ka akuzuar Niko Peleshin, drejtuesi ne PS në këtë qark, se e ka përdorur çështjen politikisht.

“Në cilësinë time si drejtues i PD qarku Korçë, në emër të PD, përfitoj nga rasti që të rinovoj edhe njëherë kërkesën e ndjesës kundrejt gjithë qytetarëve që kanë ndjekur imazhet e incidentit të djeshëm. Lidhur me pjesën tonë të përgjegjësisë në këtë incident, u tërhoqëm pa dashjen tonë. Nga ana tjetër është përgjegjësia jonë që të denoncojmë menjëherë instrumentalizimin politik që po i bëhet kësaj ngjarje për interesa të ngushta personale të Niko Peleshit i cili është një person i përfshirë me përgjegjësi të drejtpërdrejtë në shkeljen e ligjit dhe në çdo lloj dezinformimi që po i bëhet opinionit publik për ngjarjen.

Është në kundërshtim me ligjin përfshirja e drejtpërdrejtë e drejtuesit politik të qarkut Niko Peleshi, në keqpërdorimin e Policisë së Shtetit, për të gjetur mënyrën për të përfshirë vëllain e deputetit Nallbati pavarësisht asaj që ka ndodhur. Nëse faktohet nga SPAK, AMP, të cilët i ftuam ta hetojnë rastin, nëse faktohet telefonata dhe ndikimi i paligjshëm që deputeti Peleshi i bën drejtorit të policisë, jo vetëm për mbajtjen përgjegjës të një personi i cili në bazë të kodit penal nuk ka përgjegjësi penale lidhur me një ngjarje që vetë pala e dëmtuar nuk ka ngritur asnjë ankesë. Nëse faktohet pezullimi i drejtuesve të komisariatit të Devollit që kanë refuzuar ta shohin ngjarjen me syze politike dhe është urdhëruar transferimi i kësaj dosje dhe marrja e masës së ndalimit ndaj vëllait të Nallbatit, nëse faktohen që akuzat e ngritura janë me urdhër politik dhe jo me ankesë ligjore, atëherë kemi të bëjmë me rastin më flagrant të shpërdorimit të pushtetit të shtetit për interesa personale politike dhe marrjes së një rezultati elektoral. Krahas ndjesës, i bëjmë thirrje SPAK-ut të zbardhë ngjarjen.”– tha Kaso.