Një zjarr masiv përfshiu gjatë mbrëmjes së të shtunës zonën malore të Krujës, duke shkaktuar alarm të madh pasi flakët iu afruan në mënyrë të rrezikshme banesave dhe bizneseve.

Zjarri përshkoi sipërfaqe të konsiderueshme me ullishte, pemë frutore dhe bimësi, ndërsa tymi mbuloi zonën. Përballë situatës së vështirë, autoritetet aktivizuan një operacion të gjerë, me ndërhyrje nga toka dhe ajri.

Në terren u angazhuan mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, së bashku me rreth 80 zjarrfikës. Në operacion u përdorën 21 mjete zjarrfikëse, tre helikopterë, droni “Bayraktar TB2” dhe dy dronë të pajisur me kamera termike të AKMC-së.

Forcat e angazhuara punuan gjatë gjithë natës për të izoluar vatrat dhe për të mos lejuar avancimin e flakëve drejt zonave të banuara. Helikopterët ndërhynë në mënyrë të vazhdueshme në pjesët më të vështira të terrenit malor, ku disa vatra vijuan të ishin aktive.

Zjarri shkaktoi dëme të konsiderueshme në ullishte dhe pemë frutore. Flakët përfshinë gjithashtu një magazinë në pronësi të një biznesi, e cila u dogj. Ndërkohë, dëmtimi i një linje të tensionit të lartë shkaktoi ndërprerjen e energjisë elektrike për banorët e Lagjes 2 të Krujës.

Pas një nate të gjatë ndërhyrjesh, situata pranë zonave të banuara është qetësuar dhe zjarri është vënë nën kontroll. Disa vatra të mbetura në majë të malit po trajtohen nga ajri, ndërsa pjesa më e madhe e forcave është rishpërndarë.

Autoritetet vijojnë monitorimin e territorit për të parandaluar riaktivizimin e flakëve.

Pamjet pas zjarrit tregojnë sipërfaqe të mëdha të shkrumbuara, me ullishte, pemë frutore dhe bimësi të dëmtuar rëndë. Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima dhe asnjë banesë nuk rezulton të jetë djegur.