Nga Lezha, kryeministri Edi Rama ironizoi kundërshtarët politikë, duke thënë se Partia Socialiste është përballur me sulme të vazhdueshme që nga nisja e pluralizmit e deri sot.

Sipas tij, PS ka qenë e vetmja forcë që nuk është devijuar nga interesi kombëtar, duke e paraqitur këtë si dallimin kryesor me partitë e tjera. “Ne nuk kemi lëvizur asnjë milimetër nga mbrojtja e interesit të vendit. Kjo është ajo që na ndan nga kundërshtarët tanë politikë”, u shpreh Rama.

Ai u ndal edhe te akuzat e së kaluarës, duke kujtuar se socialistët janë paraqitur shpesh si të lidhur me Serbinë, gjë që sipas tij nuk është e vërtetë. “Na kanë sulmuar brutalisht, na kanë quajtur shërbëtorë të Serbisë, por realiteti tregoi krejt tjetër gjë. Ata që na akuzonin publikisht, në prapaskenë kanë shkelur embargon ndërkombëtare ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviçit dhe kanë furnizuar makinerinë e tij të luftës”, deklaroi kryeministri.

Rama theksoi gjithashtu se pas vitit 1997, PS u rreshtua fort në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke qëndruar sipas tij në krah të saj deri në përfundimin e luftës.

Në vijim, ai tha se edhe sot opozita vijon të mbajë të njëjtin qëndrim kritik ndaj socialistëve, por sipas tij kjo nuk e ndryshon faktin se PS ka ruajtur vazhdimësisht linjën e interesit shtetëror. “Duken si fjalë të zakonshme në kuptimin që duket gjëja më e zakonshme dhe normale që një forcë politike të ketë në qëndrim solid të palëkundur dhe të kthjellët në raport me interesin kombëtar por ja që nuk kaq e zakonshme, se po të ishte kështu, do të ishte karakteristikë e të gjitha forcave politike të Shqipërisë. Por kjo është karakteristikë e vetëm PS-së, sepse vetëm PS, që në krye të herës nuk ka lëvizur asnjëherë, asnjë milimetër nga vija e drejtë e mbrojtjes së interesit kombëtar. Dhe për këtë ka plot shembuj që mund të merren por shembulli më kuptimplotë, e ulëritës në sensin negativ, është shembulli që dallon si ditën me natën PS me kundërshtarët e saj politikë.

I dallon si dita me natën sepse siç ka ndodhur në historinë e 35 viteve, vazhdon ndodh edhe sot. PS ndodhet përballë një fronti kundërshtarësh sepse nuk lënë gjë pa thënë ndaj përfaqësuesve të saj. Nuk kanë lënë gjë pa thënë në krye të herës, nuk lënë gjë pa thënë sot dhe deri kur do të jenë ata që janë humbësit kronikë dhe shpirti i shkatërrimit në politikën shqiptare.

Ata e sulmuan brutalisht PS si parti e lidhur me Serbinë, shërbëtore e Beogradit por e vërteta tregoi diçka krejt tjetër, se pikërisht ata që rrihnin gjoksin ditën dhe gjuanin me gurë PS, natën thyenin embargon e botës demokratike ndaj Millosheviçit, dhe furnizonin me naftë makinerinë e tij të spastrimit etnik.

Ndërkohë që PS, që në ditën e parë të marrjes në dorë të frenave të vendit pas katrahurës së paimagjinueshme të ’97, u bë mbështetja më e fortë, e përhershme deri në fund, deri në çlirimin e Kosovës, e UÇK-së.”, u shpreh Rama.