Ndahet nga jeta Komandanti i Qendrës së Bashkuar Operacionale, Kolonel Neshet Shena. Mësohet se Kolonel Shena humbi jetën pas një beteje të vështirë me një sëmundje të rëndë.


Presidenti Ilir Meta, që është edhe Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, përmes një mesazhi ngushëllimi ka vlerësuar punën dhe karrierën e spikatur të Kolonelit.


“I trishtë lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Komandantit të Qendrës së Bashkuar Operacionale, Kolonel Neshet Shena.


Me një karrierë të gjatë, të spikatur e të vlerësuar, Kolonel Shena do të mbetet shembull frymëzues i ushtarakut profesionist dhe drejtuesit model në radhët e Forcave tona të Armatosura, njeri me vlera dhe integritet të lartë qytetar.


Ngushëllimet më të ndjera bashkëshortes Rita, fëmijëve Kreshnik dhe Nerid, miqve, kolegëve dhe komunitetit të ushtarakëve për këtë humbje të madhe. Lamtumirë Kolonel! U prehsh në paqe!”, shkruan presidenti Ilir Meta.


Për vdekjen e Kolonel Shena ka reaguar edhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.


“Pas një beteje të vështirë me një sëmundje të rëndë, kolonel Neshet Shena, komandanti i Qendrës së Bashkuar Operacionale, u nda nga jeta duke lënë në hidherim familjen dhe të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të, në 35 vite të karrierës në Forcat e Armatosura. Mirënjohje pa kufi për kontributin njerëzor e profesional të një prej oficerëve më të përkushtuar në FA. Ngushëllimet më të ndjera bashkëshortes e dy djemve. U prehsh në paqe, kolonel Shena!”, shkruan Xhaçka.