Në fjalimin e tij përpara Gjykatës, kryebashkiaku Veliaj thotë se prej dy vitesh ka pasur një sulm disproporcional të pandalshëm që arriti deri në heqjen e lirisë së tij dhe pamundësinë për të ushtruar mandatin.
Më tej, thotë se vijon të mbahet në paraburgim e izolim edhe pasi Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë për mandatin. Veliaj theksoi se çdo aspekt e dimension i tij familjar e personal është vënë nën lupë duke rezultuar në një “vetting” penal. Ai thekson se do të përballet me të vërtetën.
“Prej më shumë se dy vitesh, menjëherë pas zgjedhjes sime për herë të tretë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jam vënë përballë një sulmi frontal, disproporcional dhe të pandalshëm politik, mediatik dhe juridik; një përplasje që, në përfundim të saj, arriti deri në heqjen e lirisë sime personale dhe në pamundësimin e ushtrimit të mandatit që ma besuan 160 mijë qytetarë të Tiranës. Madje, edhe pasi fitova formalisht mandatin tim në Gjykatën Kushtetuese, pas një përpjekjeje tjetër për ta shfuqizuar atë, unë vijoj të mbahem me këmbëngulje në paraburgim dhe izolim, ndërkohë që vetë ligjshmëria e burimit të atij pushteti penal ndodhet sot përpara kësaj gjykate për shqyrtim. Është kontrolluar çdo aspekt i jetës sime. Është hetuar çdo dimension personal dhe familjar i imi. Mbi mua dhe familjen time është ushtruar, në thelb, një formë e plotë ‘vetingu’ jo administrativ por penal, jashtë çdo standardi normal proporcionaliteti. E megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe, unë kam bashkëpunuar me drejtësinë në çdo moment. Kam kontribuar për të lehtësuar punën e saj. Nuk kam pasur asnjë hezitim, asnjë drojë dhe asnjë mëdyshje për t’u përballur me procesin dhe me të vërtetën as dje, as sot”, thotë kryebashkiaku.
