Autoritetet spanjolle kanë goditur një operacion të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke kapur një jaht me rreth 2.1 ton kokainë në bord. Ndërhyrja është kryer në ujërat e Atlantikut, rreth 650 kilometra nga brigjet e Galisias.

Gjatë operacionit janë arrestuar katër personat që ndodheshin në mjetin lundrues. Ata ishin një Argjentinas, një nga Uruguai, Kolumbia dhe Shqipëria. Hetimet kanë çuar gjithashtu në arrestimin e një tjetër të dyshuari në Girona, në verilindje të Spanjës, i cili dyshohet se kishte lidhje me organizimin e trafikut.

Mjeti lundrues, një jaht rreth 14 metra i gjatë që mbante flamurin polak, është kapur në det të hapur dhe më pas është dërguar në portin e Vigos për kontrolle dhe veprime të mëtejshme hetimore.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat e huaja, lëvizjet e jahtit po ndiqeshin nga autoritetet prej disa muajsh. Ai ishte nisur në korrik nga Roses, një qytet portual në bregdetin mesdhetar të Spanjës.

Hetuesit dyshojnë se pas ngarkesës së kokainës qëndron një rrjet kriminal i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike mes Amerikës së Jugut dhe Evropës. Grupi dyshohet se shfrytëzonte jahte me vela për të kaluar Atlantikun dhe për të transportuar sasi të mëdha droge drejt tregut evropian.