Ish i përndjekuri politik u kap duke lëvizur në kryeqytet. Familja e Lirak Bejkos, padi në gjykatë për trashëgiminë
Ish i përndjekuri politik, Perikli Shqevi, është arrestuar dje për disa orë nga Policia e Tiranës, pasi është kapur duke lëvizur në kryeqytet, megjithëse ndaj tij, gjykata kishte lëshuar masën e arrestit shtëpiak. Shqevi akuzohet për plagosje me dashje, pasi dyshohet se i ka vënë flakën Gjergj Ndrecës, gjatë grevës së urisë, ndërsa si provë, prokuroria ka disa pamje filmike. Ai u mbajt në qeli disa ditë, në momentin që shokët e tij po protestonin në mënyrë ekstreme. U lirua pas tri ditësh, me kërkesë të prokurorisë, e cila kërkoi një masë lehtësuese, arrest shtëpie. Gjykata e pranoi dhe Shqevi iu afrua grevistëve, duke i mbështetur, por prania e shumtë e forcave policore afër çadrës së grevistëve, vend ku kishte edhe shtëpinë, e pengoi t’u bashkohej. Me mbylljen e grevës, Perikli Shqevi filloi të lëvizte afër shtëpisë, madje mori pjesë edhe në ceremoninë mortore të Lirak Bejkos. Ai shëtiste kryesisht në zonën e “Komunës së Parisit”, ndërsa dje, ishte larguar nga banesa dhe, sipas tij, po shkonte në Drejtorinë e Policisë, për të takuar avokatin. Burime nga Policia e Tiranës pohojnë se ky shtetas ka thyer masën e arrestit shtëpiak, dhe u mbajt nga ora 10:00 e paradites deri në orën 16:00, ku është shoqëruar, nga një patrullë policie në banesë. Ende nuk dihet nëse Shqevi do të dalë apo jo për rivlerësimin e masës së sigurisë. Ndërkohë, Skënder Tufa, pohon se është marrë dje në pyetje, në lidhje me incidentin e eskortës së Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Ai pohon se këto shoqërime, janë një presion për vezët që i kanë hedhur makinës së Topallit dhe sulm ndaj personave të cilët tentojnë të thonë fjalën e tyre në mënyrë demokratike. “Perikli Shqevi dhe Asllan Patrioti janë dy pengjet politike të grevës së urisë”, pohon Skënder Tufa, i cili shton se Patrioti është në gjendje shumë të keqe ekonomike, madje edhe shëndetësore. Ai nuk ka asnjë mundësi mbijetese, pasi është personi i vetëm që punon në familje. Ish të përndjekurit kanë kërkuar që masa e sigurisë ndaj tij të ndryshojë, pasi të ketë mundësi të lëvizë lirisht, për të siguruar bukën e gojës.
Ndërkohë, familja e Lirak Bejkos, i cili u vetësaktrifikua për kauzën e ish të përndjekurve politikë duke i vënë zjarrin vetes, ka bërë një padi në gjykatë për dëshmi trashëgimie. Ata kërkojnë që pasuria e vetme e Lirakut, këstet për vitet e burgut, t’i përfitojnë dy vajzat e tij, të cilat do të rriten jetime.
