Mashtrimi


Marselina Kërtoçi akuzohet për mashtrim dhe fshehje të gjendjes së falimentit


Kallëzimet


Policia e Tiranës tha sipas disa denoncimeve, se ditët e fundit, ajo kishte tentuar të mashtronte persona të tjerë për udhëtime turistike


Agjentët e krimit ekonomiko-financiar arrestuan Marselina Kërtoçin, pronare e agjencisë turistike “Pasha Holiday”, për akuzat e mashtrimit, fshehje të të ardhurave dhe fshehje të falimentit. Arrestimi i 27-vjeçares u krye pas kthimit të përgjigjes nga agjencia turistike, me të cilën bashkëpunonte gruaja për dërgimin si turistë të shtetasve shqiptarë në Egjipt. Kjo agjenci mësohet t’u ketë kthyer një përgjigje autoriteteve shqiptare ku thuhej se, agjencia “Pasha Holiday” nuk kishte kryer asnjë pagesë për akomodimin në hotel të turistëve. Kjo deklaratë rrëzon pretendimin e 27-vjeçares Kërtoçi, e cila kishte thënë më herët se i kishte kryer të gjitha pagesat dhe se nuk kishte asnjë dijeni se çfarë kishte ndodhur më tej. Të paktën 180 shtetas shqiptarë u bllokuan në Egjipt në tentativë për të shkuar si turistë në Sharm el Sheik, në një kohë që bileta e paguar prej tyre ishte 600 euro çifti. Bllokimi i tyre erdhi në një kohë kur agjencia shpalli falimentin. Ndërkaq dje, të lodhur e të zemëruar janë kthyer pothuajse të gjithë turistët shqiptarë nga Egjipti. Pushimet e tyre u shndërruan në lodhje e stres. “Nuk mund ta përshkruaj atë që kemi hequr. Në aeroport kemi shkuar në orën 10:00 paradite dhe në orën 10:00 të mbrëmjes jemi nisur. Imagjino të rrish 12 orë në aeroport, ku fëmijët nuk kanë ngrënë e nuk kanë pirë”, shprehet një prej turistëve e sapombërritur në atdhe. “As emrin mos ia dëgjofsha më jo më të shkoj atje”, shprehet një tjetër, duke deklaruar se u është dashur të paguajnë për herë të dytë. Ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme ka deklaruar se ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar me turistët shqiptarë të bllokuar në resortet e Sharm El Sheik, në Egjipt, për shkak të mosrespektimit të marrëdhënieve kontraktuale nga ana e agjencisë turistike shqiptare. Sipas njoftimit, aktualisht në Shqipëri kanë mbërritur 182 persona, ndërkohë që ata që nuk mundën të transportoheshin me avionin e vënë në dispozicion, tashmë ndodhen nën kujdesin e ambasadës shqiptare në Kajro, në pritje të rikthimit në atdhe në një kohë sa më të shpejtë.