Reiz Petritaj, i moshuari nga fshati Strelcë që u përplas me situatën e krijuar gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Maliqit, ka rrëfyer arsyet që e shtynë të reagonte ashpër, deri në përdorimin e bastunit për të ndaluar daljen nga salla të kryetarit të këshillit të Partisë Socialiste.
Petritaj tha në intervistë për gazetaren e News 24, Lorena Kodra se ishte revoltuar për shkak të qëndrimit të këshilltarëve bashkiakë, të cilët sipas tij në takimet e mëparshme ishin shprehur kundër shkrirjes së Bashkisë së Maliqit, ndërsa në mbledhjen e sotme u larguan.
“Unë u bëra i revoltuar për arsyen sepse unë jam nga fshati Strelcë. Më kanë ikur të shumtët e njerëzve jashtë shtetit. Kur i kanë mundësitë të jetojnë këtu dhe kanë dëshirë të jetojnë. Problemi tash këtu është se korrupsioni është i pallogaritshëm”, u shpreh ai.
I moshuari tregoi se kishte marrë pjesë në takimin e zhvilluar në Lozhan, ku sipas tij banorët dhe të pranishmit ishin shprehur kundër bashkimit apo shkrirjes së Bashkisë së Maliqit.
“Unë mora vesh që do bëhej atje në Lozhan takim dhe shkova. Erdhën në Lozhan, ranë dakord të tërë në Lozhan që të mos prishet Bashkia e Maliqit. Ashtu edhe në Libonik, kudo kështu. Tani këto lojëra se si janë, nuk e di”, tha Petritaj.
Ai tha se pas takimit në Lozhan shkoi edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për të parë se çfarë do të ndodhte.
“Kishim folur kudo që të mos prishet Bashkia e Maliqit. Këshilltarët që kishin folur andej që mos shkrihet bashkia këtu ikën”, deklaroi ai.
Duke folur për momentin e përplasjes, Petritaj pranoi se kishte reaguar në mënyrë të fortë, duke thënë se për moshën e tij kishte kaluar edhe në ekstrem.
“Edhe drejt me thënë, më kaloi në ekstrem për moshën që kam. I shtyva kështu”, u shpreh ai.
Në fund, Petritaj tha se do të vijojë të kundërshtojë shkrirjen e Bashkisë së Maliqit dhe akuzoi për korrupsion drejtuesit e institucioneve që, sipas tij, kanë pasur përgjegjësi për çështje të ujërave dhe hidrocentraleve.
“Maliqi nuk duhet të prishet. U bëj thirrje edhe protestuesve që kanë dalë atje. Jam gati të vete, po s’vete dot. Nuk do ta gëzojë dot kryetari i Parlamentit korrupsionin që ka bërë me Bashkinë e Maliqit. Nuk e gëzon dot”, tha Petritaj.
Deklarata e plotë:
Unë u bëra i revoltuar për arsyen sepse unë jam nga fshati Strelcë. Me kanë ikur të shumtët e njerëzve jashtë shtetit. Kur i kanë mundësitë të jetojnë këtu dhe kanë dëshirë të jetojnë. Një prej mbesave kam, fëmijë skam se s’jam martuar, se ashtu ka qenë problemi. Problemi tashë këtu është se korrupsioni i pallogaritshëm.
Po këtë revoltë që kisha sot unë mora vesh që do bëhej atje në Lozhan takim dhe shkova. Erdhën në Lozhan, ranë dakord të tërë në Lozhan që të mos prishet Bashkia e Maliqit.
Ashtu edhe në Libonik, kudo kkështu. Tani këto lojëra se si janë, nuk e di. Unë kur vajta që u revoltova atje, vajta e dëgjova erdha edhe në këshill të shihja çfarë bëhej.
Kishim folur kudo që të mos prishet Bashkia e Maliqit. Këshilltarët që kishin folur andej që mos shkrihet bashkia këtu ikën.
Edhe drejt me thënë më kalova në ekstrem për moshën që kam. I shtyva kështu.
Tani problemi është se Maliqi nuk duhet të prishet. I çoj mesazh Kryetarit të Parlamentit që ka bërë shumë me Bashkinë e Maliqit, që kanë bërë korrupsionin në ujërat, se kanë marë hidrocentralet, se kam kërkuar informacion për të gjitha kam kërkuar këto që kanë bërë. Nuk e mbyllin dot. Ta dinë! U bëj thirrje edhe protestuesve… që kanë dalë atje. Jam gati të vete po s’vete dot! Mu dha rasti këtu… jo mu dha rasti se e kërkova vetë, po u them që nuk do ta gëzojë dot Kryetari i Parlamentit korrupsionin që ka bërë me Bashkinë e Maliqit edhe ta gëzojë. Nuk e gëzon dot
