Master


Pasuniversitarët me kohë të pjesshme, shtyhet afati i aplikimeve


Lorina Mixha


Pasuniversitarët në vendin tonë janë ndarë në dy kategori, master profesional, master shkencor. Kemi master me kohë të plotë dhe master part-time. Sistemi i korrespondencës, part-time, njësoj si në sistemet e tjera arsimore, njihet si formë e studimeve me kohë të pjesshme.


Këshilli i Ministrave për këtë vit u ka akorduar studentëve nga trojet, kuota të konsiderueshme për të ndjekur studimet part-time. Ndërsa për dy ciklet e pasuniversitarëve, shkencor dhe profesional me kohë të plotë, pritet vetëm rishpërndarja e kuotave, pasi faza e parë e fituesve është mbyllur, për masterat part-time, ka një shtyrje të afateve për aplikime.


Kuotat për trojet


Për ciklin e dytë të studimeve master profesional me kohë të pjesshme për vitin akademik 2012-2013, qeveria ka miratuar 4075 kuota. Të drejtat e studimit për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit janë 200.


Ndërkohë që për master profesional me kohë të pjesshme, qeveria akordoi 4665 kuota. Në këtë cikël të dytë studimesh, 200 kuota u rezervohen kandidatëve nga trojet.


Sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave, kandidatët nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Malit të Zi dhe nga Prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, aplikojnë direkt në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Rishpërndarja e kuotave të paplotësuara kryhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke marrë parasysh edhe kërkesat e institucioneve të arsimit të lartë, universitetet.


Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për pasuniversitarët, thuhet se: “Pranimin e aplikantëve brenda vendit, si dhe shqiptarëve nga trojet jashtë kufijve, në programet e studimit të ciklit të dytë, master profesional me kohë të pjesshme, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2012-2013, bëhen në bazë të përzgjedhjes së bërë nga institucionet publike të arsimit të lartë, sipas kritereve të përcaktuara dhe të bëra publike paraprakisht.”


Këtë vit, për master profesional me kohë të plotë, për vitin akademik 2012–2013, në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë qeveria akordoi 9658 kuota, 400 kuota për studentët e trojeve.


Sipas vendimit të qeverisë, për këtë vit në masterin shkencor me kohë të plotë do të pranohen 9276 studentë. Edhe për këtë cikël studimesh kandidatëve shqiptarë nga trojet u janë akorduar 400 të drejta studimi pasuniversitar.


Aplikimi


Për kandidatët të cilët aplikojnë brenda vendit ashtu edhe për ata nga trojet, aplikimi për të fituar në këtë cikël studimesh vendoset nga universitetet. Aplikantët duhet të marrin kërkesat dhe kriteret dhe të dorëzojnë dosjen e kërkuar të dokumentacionit, ku marrin edhe numrin e llogarisë bankare ku duhet të depozitojnë shumën e vendosur si tarifë regjistrimi. Disa prej cikleve kanë në procedura edhe intervistimin, prandaj të interesuarit duhet të paraqiten personalisht. Kandidatët nga trojet aplikojnë dhe konkurrojnë mes tyre njësoj si shqiptarët e Shqipërisë.


 


Kuotat për shqiptarët e trojeve



  • Me kohë të plotë profesional 400

  • Me kohë të plotë shkencor 400

  • Part-time profesional 200

  • Part-time shkencor 200


 


Shkurt


Marrëveshja e Universitetit të Tiranës


Shkëmbim studentësh Rumani-Shqipëri


Dje, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Krajovës në Rumani nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi.


Kjo marrëveshje do të jetë një mundësi e veçantë për studentët që dëshirojnë të vijojnë studimet e tyre në Rumani.


Marrëveshja synon të promovojë dhe të rrisë më tej bashkëpunimin e ngushtë mes dy institucioneve në drejtim të shkëmbimit në fushën akademike. Prioritet në këtë marrëveshje bashkëpunimi do t’u jepet mundësive të shkëmbimit të studentëve, stafit akademik, atij administrativ, si dhe shkëmbimit të materialeve dhe publikimeve akademike në fusha të përbashkëta të interesit mes dy institucioneve.


Një pjesë të rëndësishme në marrëveshje ka edhe promovimi i projekteve të përbashkëta kërkimore, aktiviteteve të përbashkëta akademike, konferencave, seminareve.