Homazhet në nder të regjisorit të shquar shqiptar, Dhimitër Anagnosti, do të zhvillohen të martën, më 2 shtator, në Hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit, nga ora 10:00 deri në 13:00. Lajmin e bëri të ditur vajza e tij, Juna Anagnosti, përmes rrjeteve sociale.

Dhimitër Anagnosti, i lindur më 23 janar 1936 në Vuno, ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare. Ai konsiderohet një nga regjisorët më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX, me një karrierë 40-vjeçare ku realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke qenë gjithashtu autor i 15 skenarëve.

Formimin kinematografik e kreu në Institutin VGIK në Moskë (1954–1960), ku diplomoi si kinooperator. Filmi i tij diplomë, realizuar bashkë me Viktor Gjikën, “Njeriu kurrë nuk vdes”, u vlerësua me çmimin e parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike në Holandë më 1961.

Ai nisi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re”, duke kontribuar në filma si “Debatik” (1961) dhe “Toka Jonë” (1964). Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Gjikën, “Komisari i Dritës”, ndërsa një vit më vonë xhiroi i vetëm “Dueli i Heshtur”.

Anagnosti njihej për mendimin e tij të lirë dhe kurajën qytetare, duke u dalluar si figurë e respektuar jo vetëm në art, por edhe në jetën publike. Për meritat e tij artistike, u nderua me titullin “Artist i Popullit” në 1987 dhe me Kupën e Karrierës në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar.

Ai mori pjesë gjithashtu në jetën politike, duke u zgjedhur deputet i Partisë Demokratike (1991–1996) dhe shërbyer si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (1992–1994).

Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët dhe forcimin e kulturës shqiptare. Në vitin 2001 shkroi dhe vuri në skenë dramën “Nata e trokitjeve në xham”, ndërsa në 2005 realizoi filmin e tij të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, i vlerësuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Regjisori ishte i martuar me aktoren e njohur Roza Anagnosti, “Artisten e Merituar” të skenës dhe ekranit shqiptar.

Homazhet e kësaj të marte do të jenë mundësia për publikun dhe komunitetin artistik që të nderojë një nga ikonat e kinemasë dhe kulturës shqiptare.