Bota e artit shqiptar është në zi, pasi është ndarë nga jeta një ndër figurat më të shquara të skenës dhe ekranit, aktorja legjendare Margarita Xhepa. Në nderim të jetës dhe veprës së saj, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka njoftuar se homazhet publike do të mbahen sot, nga ora 10:00 deri në 13:00, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

“Pas komunikimeve me familjen e së ndjerës, aktores së madhe Margarita Xhepa, njoftojmë se homazhet do të zhvillohen më 4 prill, ora 10:00–13:00, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit,” thuhet në deklaratën zyrtare të ministrisë.

Margarita Xhepa ka lënë pas një trashëgimi të pasur artistike me mbi 180 role në teatër dhe kinematografi. Ajo nisi karrierën e saj artistike në vitet 1950 si artiste në Teatrin Popullor, ndërkohë që studionte në Liceun Artistik, dega e Dramës. Që prej asaj kohe, ajo u bë një prej ikonave më të dashura për publikun shqiptar.

Në teatër ka krijuar mbi 150 role, përfshirë figura si Majlinda tek “Majlinda”, Dafina tek “Lumi i vdekur”, Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën” dhe Nëna tek “Përballë vetes”. Spikati edhe në dramaturgjinë botërore me role si Ofelia tek “Hamleti”, vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, Dado tek “Romeo e Xhulieta”, Mbretëresha Margaret tek “Rikardi III” dhe shumë të tjera.

Në kinematografi, Margarita Xhepa ka luajtur në 32 filma të rëndësishëm shqiptarë si “Gjurmët”, “Dimri i fundit”, “Apasionata”, “Gjeneral Gramafoni”, “Koncert në vitin 1936” dhe “E diela e fundit”. Në vitin 1997, ajo interpretoi në filmin grek “Mirupafshim”, i cili fitoi Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Xhepa u nderua me Çmimin e Nderit.

Margarita Xhepa do të kujtohet gjithmonë si një nga figurat më të ndritura të kulturës kombëtare. Me elegancë, forcë dhe pasion, ajo solli në jetë qindra karaktere që mbetën të skalitura në kujtesën kolektive të shqiptarëve.

Publiku, kolegët dhe institucionet e artit sot i japin lamtumirën e fundit një ylli që ndriçoi për dekada të tëra skenën dhe ekranin shqiptar.