Copy-of-lokali-ku-ndodhi-ngjarja-ne-lacGëzim Gjoni u qëllua nga një i ri, i cili sapo ishte konfliktuar në gjendje të dehur me shokët e tij


Ndërhyrja për të shuar një sherr që kishte nisur mes katër të rinjve i ka kushtuar jetën një 30-vjeçari nga Laçi. Një i ri, i cili ka tentuar të qëllojë me armë një bashkëmoshatar, e ka qëlluar pa dashje 30-vjeçarin Gëzim Gjoni, duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen Nr. 2 të qytetit të Laçit, brenda në një lokal të kësaj lagjeje. Sipas të dhënave paraprake të policisë, Gjoni ka qenë në të njëjtin lokal, ku ishin edhe katër të rinj, të cilët ishin duke pirë me njëri-tjetrin. Burime të policisë lokale bënë të ditur se të rinjtë e moshës 20-27 vjeç, pasi kanë qëndruar për më shumë se një orë në lokal, kanë nisur të debatojnë mes tyre në gjendje të dehur. Pas debateve dhe ofendimeve të ndërsjella, të rinjtë janë konfrontuar fizikisht, duke u goditur me grushte mes tyre. Në këto kushte, një nga të rinjtë ka dalë nga lokali, ka shkuar te makina e tij, të cilën e kishte para lokalit dhe prej andej është kthyer me një pistoletë në dorë. Sipas të dhënave, mësohet se ai kishte mbushur armën rrugës dhe ka hyrë menjëherë në lokal. Në këto momente, Gëzim Gjoni ka ndërhyrë për të mos lejuar që të rinjtë të vriteshin dhe i ka kërkuar agresorit që ka hyrë në lokal, që të mos qëllonte. Agresori, në tentativë për të vrarë të riun, që ishte konfliktuar fizikisht me të, ka qëlluar pa dashje Gjonin me një plumb në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Pasi ka parë që Gjoni ka rënë në dyshemenë e lokalit, në mënyrë të menjëhershme, i riu është larguar bashkë me armën e krimit në drejtim të poligonit të qitjes në Laç, për t’i shpëtuar arrestimit të policisë së këtij rrethi. Pas ngjarjes, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke bërë të mundur mbledhjen e informacionit si dhe nisjen e aksionit për gjetjen dhe arrestimin e autorit të krimit. Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se është identifikuar autori i vrasjes, i cili është shpallur në kërkim, ndërkohë që janë shoqëruar në polici të paktën 15 persona. Një pjesë e të shoqëruarve kanë qenë dëshmitarë okularë të ngjarjes. Palët në konflikt janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe policia ka punuar gjatë natës për kapjen e tyre. Ardian Bushi