Në konferencën për shtyp pas rrezimit të kërkesës së SPAK nga PS për heqjen e mandatit të deputetes Belinda Balluku, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëv dhe sigurinë kibernetike.

Rama u pyet lidhur me sulmin kibernetik që nxori jashtë funksionit serverat e Kuvendit nga hakerat iranian dhe mundësinë e ngritjes së një plani kombëtar të mbrojtjes kibernetike.

Rama tha se sistemi i mbrojtjes kibernetike i Shqipërisë është ndër më të avancuarit në Evropë. Ai sqaroi se problemi nuk qëndron tek kapacitetet mbrojtëse, por tek fakti që Parlamenti nuk është përfshirë ende plotësisht në rrjetin kombëtar.

“Sistemi ynë i mbrojtjes kibernetike është nga më të mirat në Evropë. Parlamenti nuk ka përfshirë ende pjesën e tij në rrjetin kombëtar. Sulmet nga Irani ndodhin çdo ditë, por nuk kanë prekur infrastrukturën kritike.”- u shpreh Kryeministri

Ai shtoi se plani është që të gjitha institucionet dhe sektori privat të futen hap pas hapi në këtë sistem për të garantuar siguri të plotë.

“Të gjitha institucionet dhe sektori privat do të bëhen pjesë e sistemit hap pas hapi. Bankat tashmë janë pjesë e rrjetit mbrojtës dhe kanë kuptuar sensitivitin e situatës.”- shtoi Rama.