Ambasadori ukrainas në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, ka pësuar probleme kardiake gjatë qëndrimit të tij në fshatin turistik të Voskopojës këtë të diel.

Ai u transportua me urgjencë drejt Tiranës, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje të specializuar kardiologjike, që përfshinte koronarografi dhe angioplastikë koronare me vendosje stenti (PCI). Operacioni përfundoi me sukses dhe ambasadori vijon trajtimin nën kujdes intensiv.

Sipas burimeve, Shkurov kishte kaluar paraditen duke ecur në pyjet e Voskopojës, kur shfaqi probleme me zemrën, gjë që e detyroi të kthehej në hotel. Ndihma e parë iu dha nga shërbimi mjekësor i qendrës shëndetësore të fshatit, ndërsa më pas u aktivizua urgjenca e spitalit rajonal të Korçës, që e transportoi drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Spitali konfirmoi se ndërhyrja ka përfunduar me sukses, duke siguruar se ambasadori është jashtë rrezikut për jetën dhe po vijon kujdesin intensiv.