Pas pamjeve që bënë xhiron e rrjetit ku ai ndërpret mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Vlorës me tone të ashpra, i riu David Dano ka folur sot për emisionin “Breaking” në Top News, duke zbuluar arsyet e reagimit të tij të fortë.
Ai thotë se është i dëshpëruar dhe i harruar nga institucionet, ndërsa kërkon dëmshpërblim për banesën e tij, të cilën e cilëson si të pabanueshme. Pamjet e incidentit në sallën e këshillit bashkiak treguan Danon duke folur me tone të larta dhe duke akuzuar drejtuesit lokal për shpërfillje ndaj halleve të qytetarëve, veçanërisht të atyre në nevojë ekstreme si ai vetë.
“Po jetojmë në skamje, askush nuk ktheu përgjigje. Aktualisht jetoj në një banesë të pabanueshme, askush nuk do t’ia dijë. Kur kërkoj llogari në bashki, më drejtojnë nëpër ministri, delegojnë përgjegjësitë”, tha ai.