Institucionet me dy turne, orë të shkurtuara, ngrohje me rezistencë me paratë e prindërve


Mungesa e energjisë elektrike cenon edhe mësimin në shkolla.


Nga institucionet e shpërndarjes së energjisë elektrike nuk ka asnjë njoftim për kufizim


Për nxënësit e pasdites, mungesa e rrymës është shqetësimi kryesor, u mungon ndriçimi


Pothuajse të gjitha shkollat 9-vjeçare e të mesme në zonën e Kombinatit prej një muaji kanë probleme me kufizimet dhe mungesën e energjisë elektrike. Por jo vetëm në Kombinat, edhe në Laprakë, në zonën e “21 Dhjetorit”, te Rruga e Elbasanit dhe në zonën e “Ali Demi” mungesa e rrymës ka sjellë probleme për orët e mësimit. Nxënësit e paradites nuk kanë mundësi të ngrohen ndërsa ata të pasdites që bëjnë mësimin në turnin e dytë, për shkak të numrit të lartë të klasave nuk kanë mundësi të lexojnë dërrasën e zezë e as librin që kanë në bankë, për shkak të mungesës së energjisë elektrike.


Javën e kaluar banorët e zonës së Kombinatit protestuan duke bllokuar edhe rrugën kryesore për kufizimet dhe mungesat e energjisë elektrike, në mënyrë të vazhdueshme sapo nis stina e dimrit.


Ndryshe nga familjet, nxënësit e shkollave kërkojnë energji elektrike për t’u ngrohur, ndërsa më shumë se energjia elektrike, për nxënësit e pasdites, mungesa e rrymës është shqetësimi kryesor. Dita në dimër është më e shkurtër, errësohet më shpejt dhe nxënësit nuk kanë ndriçim për të parë e për të lexuar.


Kufizimi


Nga institucionet e shpërndarjes së energjisë elektrike nuk ka asnjë njoftim për kufizim, remont apo ndërprerje të energjisë, por stacione të caktuara në kryeqytet, për shkak të amortizimit, mbingarkesës së rrjetit por edhe mungesës së investimeve, kanë probleme kryesisht gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Mësuesit e shkollave të Kombinatit kanë sqaruar se janë munduar të bëjnë mësim me orar të shkurtuar duke shfrytëzuar në maksimum ditën dhe në oraret e pasdites, kur nuk ka energji, nxënësit të bëjnë mësim më pak se 45 minuta, për secilën orë.


Nuk ka një njoftim nga Ministria e Arsimit për ndonjë udhëzim në kohë moti të ftohtë, për zhvillimin e orëve të shkurtuara të mësimit. Por deri tani, nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë është kërkuar që të mbahet një rrjet të dhënash për të gjitha mungesat për shkak të prekjes nga virozat e stinës.


“Mungesa e energjisë elektrike dhe mungesa e dritës për nxënësit që bëjnë mësim në turnin e dytë, pasdite, kanë detyruar mësuesit e drejtuesit e shkollave të mendojnë si zgjidhje alternative, shkurtimin e orëve të mësimit me dhjetë minuta apo çerek ore, sidomos për tri orët e fundit kur nuk ka më ndriçim në klasa”, sqaruan mësuesit e gjimnazit të kombinatit.


Ngrohja


Bashkia e kryeqytetit ka sqaruar se gjysma e shkollave kanë të instaluara sistem kaldaje, ndërkohë që pjesa më e madhe e institucioneve të arsimit parauniversitar ngrohen me korrent.


Nxënësit e shkollave mbledhin para dhe me këtë fond më pas blejnë rezistenca dhe ngrohëse që i vendosin në klasat ku bëjnë mësim.


Në njërën nga shkollat e Tiranës, bordi i prindërve ka diskutuar edhe vendosjen e kondicionerëve, duke mbledhur fonde nga nxënësit por edhe duke kërkuar mbështetjen e prindërve biznesmenë, por kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh nga drejtuesit e shkollave. “Çdo vit paguajmë për rojën, për blerjen e detergjenteve që pastrojmë klasat, për zbukurime dhe organizime në raste festash. Por shumën më të lartë e paguajmë çdo vit për të blerë rezistenca e ngrohës që asnjëherë nuk rezistojnë deri në fund të vitit. Kështu duhet t’i blejmë nga e para”, thonë nxënësit.