Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në komunën e Porcarit, në provincën e Luccës, ku katër anëtarë të familjes Kola humbën jetën pasi dyshohet se janë helmuar nga monoksidi i karbonit. Ngjarja e tmerrshme ndodhi brenda shtëpisë së tyre, dhe viktimat janë: Arti Kola, bashkëshortja e tij Jonida, djali Hajdar dhe vajza Xhesika.
Kryetari i Komunës së Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili shkoi menjëherë në vendngjarje, ka shprehur dhimbjen e tij të thellë për këtë tragjedi. Ai e ka cilësuar këtë humbje si një goditje të rëndë për komunitetin, duke e krahasuar ngjarjen me një tragjedi të ngjashme që kishte ndodhur më parë, përkatësisht me rastin e familjes Malanca, që ndodhi në vitin 1992.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Fornaciari ka theksuar se ky është një moment i vështirë për gjithë Porcarin, duke kërkuar solidaritet dhe mbështetje për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre në këtë mënyrë kaq tragjike.
MESAZHI
Mbrëmjen e djeshme, një fatkeqësi e madhe ndodhi në vendin tonë.
Një familje e tërë, familja Kola, me shumë gjasa humbi jetën në shtëpi, dhe hetimet do ta sqarojnë më vonë, për shkak të monoksidit të karbonit që rrjedh nga kazani.
Babai Arti, nëna Jonida me dy fëmijët e tyre, Hajdarin 22 vjeç dhe Xhesikën 15 vjeçe. Jemi të gjithë të mërzitur dhe të trishtuar nga kjo ngjarje tragjike që më kujtoi menjëherë tragjedinë e familjes Malanca, madje edhe atë që ndodhi në shkurt të vitit 1992. Komuniteti ynë, qëndron i bashkuar rreth të afërmve dhe miqve në një përqafim ideal për këtë zi të rëndë që ka prekur Porcarin.
U prehshin në paqe, të gjithë së bashku.
