Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq pesë persona, mes tyre ish-drejtues dhe inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT) në Bashkinë Sarandë, si dhe subjektin dhe personin e përfshirë në ndërtimet e paligjshme në zonën e mbrojtur të Butrintit.
Ish-zyrtarët akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Ndërtim të paligjshëm”, “Pushtim toke”, “Shpërdorim të tokës” dhe “Dëmtim të habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”. Sipas Prokurorisë, nga hetimet u provua se në zonën e Ksamilit, në vendin e njohur si “Kanali i Vivarit”, janë kryer ndërtime në një sipërfaqe të konsiderueshme pa leje nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit. Kanali i Vivarit ndodhet brenda Parkut Kombëtar të Butrintit dhe gëzon statusin e Monumentit të Natyrës, një zonë me mbrojtje të veçantë ligjore për shkak të vlerave të saj mjedisore dhe natyrore.
Sipas hetimeve, punonjësit e IVMT-së nuk kanë ndjekur procedurat ligjore për evidentimin e plotë të punimeve dhe nuk kanë marrë masat administrative që parashikon ligji, përfshirë vendosjen e gjobave ndaj subjektit që kryente ndërtimin.
Për këtë çështje janë dërguar në gjyq:
– R.P., i akuzuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, “Pushtimi i tokës”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”;
– Personi juridik “Laguna Invest”, i akuzuar për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Pushtim të tokës”;
– E.Z., B.K. dhe V.X., me detyrë inspektorë të IVMT-së në Bashkinë Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”;
– A.M., me detyrë kryeinspektor i IVMT-së në Bashkinë Sarandë në kohën e ngjarjes, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”.
Dosja konsiderohet një prej rasteve më të rëndësishme të hetuara nga Prokuroria e Sarandës në fushën e mbrojtjes së territorit dhe mjedisit, pasi lidhet me ndërhyrje të paligjshme në një nga zonat më të mbrojtura dhe më të rëndësishme natyrore e turistike të vendit.
